Durrës


Skënder Spahia nuk kishte konflikte e mosmarrëveshje në Shqipëri


Vendi ku u vra kosovari ne Durres Skender-SpahiaVrasja e tregtarit nga Kosova, Skënder Spahia, mendohet të jetë bërë me porosi nga persona në vendlindjen e tij. Edhe 48 orë pas ekzekutimit të tipit mafioz policia e Durrësit nuk ka arritur të gjejë ndonjë motiv të besueshëm për vrasjen e 44-vjeçarit që jetonte mes Shqipërisë dhe Kosovës. Duke qenë se Spahia ishte person i rregullt pa precedentë penalë dhe pa probleme të mëparshme në Shqipëri, hetuesit i kanë varur shpresat te dosja që pritet të vijë nga autoritetet policore të Kosovës në lidhje me aktivitetin e viktimës.


Skënder Spahia u ekzekutua me katër plumba pistolete në orët e para të mëngjesit të së enjtes në afërsi të apartamentit të tij në zonën e plazhit të Shkëmbit të Kavajës. Ai po kthehej nga një darkë me një 34-vjeçare me shtetësi bullgare me të cilën bashkëjetonte dhe sapo ka zbritur nga makina, poshtë pallatit ku ndodhej apartamenti i tij, është qëlluar nga afër me pistoletë nga dy persona.


Gruaja që ka qenë shumë e tronditur për të ndihmuar siç duhet policinë, ka treguar se dy personat janë shfaqur pranë makinës sapo Skënderi kishte hapur derën dhe pa i thënë asnjë fjalë e kanë qëlluar katër herë duke e lënë të vdekur në vend.


Duke u nisur nga mënyra e ekzekutimit, ekspertët e policisë së Durrësit arritën në konkluzionin se krimi është vepër e vrasësve profesionistë dhe nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë qenë të paguar. Sipas ekspertëve të policisë, vrasësit mund ta kenë ndjekur 44-vjeçarin nga Kosova gjatë gjithë rrugës që nga restoranti në periferinë veriore të Durrësit ku kishte qenë për darkë, deri tek apartamenti, në periferinë jugore të qytetit.


Pas shoqërimit të disa personave që afronin me përshkrimin që partnerja e viktimës u bëri vrasësve dhe pas pyetjes së personave me të cilët shoqërohej Spahia në Durrës, policia lokale nuk ka arritur të zbulojë asgjë në lidhje me motivet e vrasjes. Informacioni që do të sjellë policia e Kosovës në lidhje me viktimën pritet të hedhë më shumë dritë për motivet e krimit.