Shtypi gjerman qesh pas dështimit të luzitanëve: mbrojtje e sulm inekzistent


Altin Manallari


Ronaldo-i-shtrire-ne-toke-ne-humbjen-POrtugali-Turqi-1-3Më pak se një javë nga debutimi në Euro 2012 kundër Gjermanisë  dhe në shtëpinë e Portugalisë ka alarm. Pas dy barazimeve 0-0 të një jave më parë në Poloni dhe në shtëpi kundër Maqedonisë, ja dhe dështimi në shtëpi kundër Turqisë (1-3), që ka nxjerrë lakuriq problemet e mëdha në mbrojtje (“Esta defesa è um susto” – e frikshme, titullon faqen e saj të parë “Record”) dhe skarcitetin e sulmit. Me një Kristiano Ronaldo, që ka tradhtuar nga pika e bardhë e penalltisë. Qesh Gjermania: “Kjo Portugali nuk i fut frikën askujt”, lexohet në shtypin gjerman. Dhe në fakt kombëtarja e Paulo Bento që do të paraqitet në kompeticionin kontinental në Poloni-Ukrainë po kalon një periudhë vërtet shumë negative: tri ndeshje që nga fillimi i vitit me një bilanc dy barazime pa gola dhe një humbje të shëmtuar në një stadium “Da Luz” të Lisbonës të mbushur përtej limiteve. Disfata e parë në takimin e fundit përpara një faze finale të Europianit, e ardhur me një 11-she që do të zbresë në fushë në ndeshjen debutuese kundër kombëtares gjermane (Miguel Lopez në të djathtë), oshtin si një kambanë alarmi për Kristiano Ronaldon me shokë. Pavarësisht nga dështimi në provën e fundit të mundshme, portugezët nuk e bëjnë dramë: humbja kundër Turqisë nuk e komprometon ecurinë e luzitanëve në Euro 2012. “Jemi të trishtuar, por e dimë mirë që nuk mund të bëjmë gabime të tilla, ka thënë asi i Realit të Madridit. Do të duhet të jemi optimistë, rruga është e gjatë dhe jam i sigurt, që ky negativitet do të kthehet në pozitivitet”. “Kjo humbje nuk e prek besimin që kemi te potenciali ynë”, ka shtuar Paulo Bento. Ndërkohë që në krahun tjetër, atë gjerman, ka folur trajneri Joakim Lëv për skuadrën e tij. “Nuk kënaqemi vetëm me fitore, duam të luajmë një futboll të bukur”. Është kjo motoja e teknikut të Gjermanisë në prag të Euro 2012. “Nuk duhet gjithnjë dhe vetëm për tituj që duhen fituar. Disa vende, si Spanja, kanë pritur 50 vite. Është e qartë, objektivi ynë është titulli, por duam të luajmë pa tension. Duam të shprehim një futboll tërheqës dhe modern: Edhe ky është një kriter shumë i rëndësishëm për mua”, thotë tekniku i kombëtares gjermane në një intervistë të djeshme. Humbja therëse ndaj Zvicrës është lënë tashmë pas shpatullave. Gjermanisë së Lëvit i është rikthyer shpejt buzëqeshja pas fitores 2-0 ndaj Izraelit, që jo vetëm ka rikthyer triumfin, por edhe një Bastian Shvajnshtajger të jashtëzakonshëm në prag të startit të Europianit. Penalltia e pafat e humbur në finalen e Champions është lënë pas dhe mesfushori i Bajernit është gati të marrë vendin e tij në qendër të mesfushës. Nuk do të jetë sigurisht në formën më të mirë, por Shvajnshtajger është një lojtar–çelës për vendosjen taktike të Gjermanisë.


 


Alarmi


Humbja në shtëpi ndaj Turqisë me rezultatin 1-3 ka nxjerrë në pah problemet e mëdha të Portugalisë: Mbrojtja është e frikshme dhe sulmi është steril


 


Ronaldo


Portugezët nuk e bëjnë dramë. “Jemi të trishtuar, por e dimë mirë që nuk mund të bëjmë gabime të tilla. Do të duhet të jemi optimistë”, tha Kristiano Ronaldo.


 


Gjermania


Pas humbjes therëse ndaj Zvicrës, fitorja 2-0 ndaj Izraelit ka rikthyer te gjermanët jo vetëm buzëqeshjen, por edhe një Shvajnshtajger të jashtëzakonshëm


 


Joakim Lëv


“Nuk kënaqemi vetëm me fitore, duam të luajmë një futboll të bukur. Nuk duhet gjithnjë dhe vetëm për tituj që duhen fituar. Disa vende, si Spanja, kanë pritur 50 vite. Është e qartë, objektivi ynë është titulli, por duam të luajmë pa tension. Duam të shprehim një futboll tërheqës dhe modern: Edhe ky është një kriter shumë i rëndësishëm për mua”