8 qershor – Raundi i tretë i presidentit propozohet të mbahet të premten më 8 qershor. PS-ja kërkoi datën 10 ose 11 qershor
Berisha – Kryeministri Berisha ka munguar në raundin e dytë të votimit për kreun e shtetit, i cili nuk kishte asnjë kandidat për këtë post
Basha – Kryebashkiaku Basha, u pa të hynte në Kryeministri pas dështimit të raundit II, ndërsa po vijonte takimi Arvizu-Berisha
Zaganjori – PD-ja është shprehur pro mbajtjes së Zaganjorit si kandidat për president dhe në raundin III, por ftoi PS-në të paraqesë emrat e saj
Dështimi – Në prani të ndërkombëtarëve, Topalli e cilëson të ezauruar raundin e dytë
Kryeministri: Përpjekje për të arritur një uj
Bledar Hoti
Kryeministri Sali Berisha shprehet se po zhvillohen negociata të pandërprera mes mazhorancës dhe opozitës për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit në mënyrë konsensuale. Duke preferuar mospjesëmarrjen në seancën parlamentare, atë të dështimit të raundit të dytë, Kryeministri dje ka pasur kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit e mazhorancës. Selia e Kryeministrisë është kthyer dje në një arenë konsultimesh mes vetë demokratëve, por edhe mes liderit të mazhorancës dhe ambasadorit amerikan, Alexander Arvizu. Në furinë e konsultimeve është përfshirë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha. Mësohet se në Kryeministri kanë qëndruar edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, dhe ministri i Transportit, Sokol Olldashi. Që të dy, veçmas, kanë dalë më herët nga Kryeministria, ndërsa lart në kat të tretë zhvillohej takimi kokë më kokë mes Berishës dhe ambasadorit amerikan Arvizu, i cili nisi në orën 12.00. Në orën 12.40, nga selia e qeverisë doli kryebashkiaku Lulzim Basha. As pesë minuta më vonë, në orën 12.45 nga selia kryeministrore doli ambasadori amerikan, i shoqëruar me të gjitha nderimet nga vetë Berisha. Nuk dihet ende roli i kryebashkiakut Basha në këtë proces të zgjedhjes së presidentit, porse po vërehet qartë se ai po lobon fuqishëm në realizimin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Nuk dihet ende nëse kryebashkiaku e mbështet kandidatin e mazhorancës, Zaganjori, apo po ndërhyn në zgjedhjen e një emri tjetër konsensual me opozitën. Disa ditë më parë, Basha ka qenë pjesë e takimeve të veçanta dhe me ambasadorin e SHBA-së, Arvizu. Diplomati amerikan, i shoqëruar nga dy makina eskortë, mori drejtimin nga Rruga e Elbasanit, ku ndodhet selia e ambasadës. Ndërsa nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Kryeministria në lidhje me këtë konsultë ndërkombëtare që Berisha pati dje në drekë. Berisha më pas i është drejtuar selisë së Kuvendit për të zhvilluar mbledhjen e grupit me deputetët e partisë së tij. Pas një konsultimi paraprak me dy nënkryetarët e PD-së, Topalli dhe Patozi, që të tre së bashku hynë në sallën e mbledhjes së grupit kuvendor në orën 13.15. Ndërsa Berisha nuk ka munguar të lëshojë edhe batuta. “Janë bërë përpjekje të mëdha për të respektuar Kushtetutën e vendit, është dëshmuar qartë në mënyrë të kristaltë nga mazhoranca se ka krijuar frymën dhe kushtet për një votim të gjerë konsensual në Parlament. Në tërësi unë e kuptoj që të gjithë politikanët, përveç Paulinës mbushin kriteret(deputetja Paulina Hoti)”, tha Kryeminisyri dhe pyeti Hotin: “…., sa vjeçe je? Se të duhen ca vite për të arritur moshën, të tjerët janë pak zemërthyer. Se Majlindën nuk e beson kush se nuk e arrin moshën e zgjedhjes për presidente. Nuk je kandidate as ti Majlindë, edhe as Mesila, për shkak të moshës! Unë e kuptoj adrenalinën që qarkullon te politikanët në këtë periudhë, por e vlerësoj shumë edhe mirëkuptimin që keni treguar dhe që tregoni, se ky do të jetë një proces sa më i gjerë i mundshëm. Prandaj pres të më çoni mesazhe. As Aldo (ministri i Kulturës) nuk më ka dërguar mesazhe në telefon”, tha Berisha në mbledhje. Ndërsa bëri të ditur se “konsultimet janë të pandërprera, qoftë mes aleatëve në mazhorancë, por dhe me opozitën”. Berisha kërkoi që propozimet e PS-së për kandidatë për president të mos jenë më poshtë se propozimi i mazhorancës. “Nuk mundet që të shkojmë poshtë, ose të kërkojmë poshtë për të zgjedhur personin, ndaj dhe në këtë kontekst ju garantoj se ne, dhe unë në mënyrë të përsëritur theksova në takim, do të bëjmë vlerësimin e kandidaturës së paraqitur nga Partia Socialiste. Natyrisht duke besuar se kandidati i përzgjedhur meriton të gjithë mbështetjen tonë të plotë. Pra duhet të theksoj se takimi (me Ramën) ishte një përpjekje dhe nuk mund ta mohoj. Për të gjetur një ujdi, palët shprehën qartë qëndrimet e tyre, shprehën qartë pikëpamjet sesi mendojnë ata se mund të arrihet ujdia. Fjalimi i Berishës në prani të medias zgjati 16 minuta. Ndërsa pa praninë e medias, Kryeministri i ka mbajtur deputetët e tij më pak se dhjetë minuta, duke përsëritur të njëjtat qëndrime që mbajti në publik.
