Spanja
Një fitore e vogël dhe jo një lojë e shkëlqyer. Kjo Spanjë nuk është se i pëlqeu shumë strategut të saj, trajnerit Visente del Boske që mendon sesi do ta mbrojë titullin në Euro 2012. Pas suksesit 1-0 ndaj Kinës, ka edhe dritë, edhe hije mbi iberikët dhe Del Boske nuk shmanget. “E vërteta është se ne ishim të ngadalshëm ndaj Kinës. Kundërshtari ishte i vendosur mirë në fushë, na shkaktoi probleme dhe gjithashtu pati mundësi të kundërsulmonte. Por, në pjesën e dytë ne ishim më sulmues, më të sigurt në lojën tonë, më të shpejtë dhe patëm raste golash. Ne jemi një javë larg fillimit të Europianit dhe mendoj se jemi përmirësuar, ndaj jam i kënaqur”, u shpreh ai, duke shtuar më pas se “Spanja e ka lojën e saj dhe potencialin për të fituar trofeun”. Po dje është prononcuar edhe portieri Iker Kasiljas, i cili e di se nuk do të jetë e lehtë për iberikët që të mbrojnë kurorën e kampionëve të Europës, teksa konfirmoi: “Viti europian do të jetë i vështirë, veçanërisht për shkak se në vitin 2008 stili ynë i lojës nuk ishte i njohur. Tani, e gjithë bota e di se si luajmë ne. Megjithatë, ne kemi frikë vetëm vetveten”. Në këtë mënyrë, portieri i Spanjës përpiqet për ta mbajtur tensionin sa më të lartë përpara startit të ngjarjes më të madhe kontinentale në rang kombëtaresh, që është gati të “ndezë motorët”.