Fiks Fare
Banorët po vuajnë prej dy dekadash mungesën e një parcele publike
Në fshatin Zallshoshaj të Komunës Komsie në Burrel nuk gjen as vend për varr. Pushteti vendor është i pafuqishëm për ta zgjidhur këtë problem të banorëve.
Në këtë fshat të Burrelit prej 20 vitesh banorët vuajnë mungesën e një vendi për varreza. Të ndodhur përballë këtij fakti këta banorë detyrohen të varrosin të afërmit e tyre në qytetin e Burrelit, i cili ndodhet rreth 6 km larg fshatit të tyre.
“Fiks Fare” mbrëmjen e kaluar ka treguar se si banorët e fshatit Zallshoshaj të Komunës Komsie në Burrel po vuajnë prej dy dekadash mungesën e një parcele publike, ku të afërmit e tyre mund të prehen pas vdekjes.
Përpara viteve ‘90 ky fshat ka pasur varrezën e tij, por me ardhjen e demokracisë tokës ku ishin varrezat e fshatit i doli pronari. Banorët tregojnë se ky i fundit që prej kohës që ka marrë pronën nuk lejon më të hapet asnjë varr i ri, madje ata janë shprehur se nuk janë lejuar të riparojnë varret e të afërmve të tyre të cilat ndodhen në varrezën e vjetër të fshatit.
Një prej banoreve të fshatit është shprehur se ndonjëherë arrijnë kompromis me ndonjë nga bashkëfshatarët e tyre për të hapur një varr në tokat që kanë në pronësi dhe kështu gjejnë zgjidhje provizore.
Një rast tepër të dhimbshëm rrëfen njëra prej banoreve të fshatit Zallshoshaj, një grua e cila përpara disa viteve ka humbur vajzën e saj. Zonja ka rrëfyer për “Fiks Fare” se për shkak të mungesës së vendeve për hapjen e varreve të reja i është dashur të mbajë për tri ditë trupin pa jetë të së bijës në shtëpi. Të detyruar nga situata e vështirë dhe tepër e dhimbshme familjarët kanë bërë me dije policinë, e cila ka detyruar pronarin e tokës të lejojë varrimin e vajzës së re. Por që nga ajo ditë kjo grua nuk shkon dot te varri i së bijës, pasi pronari i tokës së varrezave nuk e lejon.
Banorët kanë treguar se hapja e varrezave të reja ka qenë një ndër premtimet që ka përsëritur çdo kryetar komune apo deputet gjatë fushatave elektorale, por ende nuk është bërë asgjë konkrete. Problemi i mungesës së varrezave për këtë fshat mbartet nga viti në vit dhe askush nuk e zgjidh.
Kryetari i Komunës Komsie, z Ymer Barci, është shprehur se është në dijeni prej disa kohësh në lidhje me këtë shqetësim, pasi ky ka qenë i mbartur në vite nga paraardhësit e tij. Sipas dokumentacionit që ai zotëron, në vitin 2002 nga ana e institucionit që ai drejton, është blerë një parcelë tokë, e cila sipas banorëve nuk mund të jetë varrezë, për shkak të lagështisë së madhe që ka toka. Z Barci është shprehur për “Fiks Fare” se nëse banorët arrijnë të sigurojnë një parcelë e cila të jetë e përshtatshme për varreza dhe të jetë me të gjitha dokumentet përkatëse, atëherë nga ana e komunës do të lëvrohen fondet përkatëse. Ndërkohë deri në gjetjen e një toke të përshtatshme nga vetë banorët të gjithë të vdekurit e fshatit Zallshoshaj do të varrosen në Burrel.