Orët e Lorine


Alda Bardhyli


Lorine Faith Niedecker

Lorine Faith Niedecker


Louis kishte më shumë se dyzet minuta që priste në stacionin e autobusëve. Kur një femër bionde, e veshur me një kostum ngjyrë mjalti u drejtua drejt tij, me një çantë të madhe që e tërhiqte nga pas, ai nuk mund ta besonte se ishte ajo. Për më shumë se dy vjet, ata kishin komunikuar përmes korrespodencës dhe deri në momentin kur Lorine vendosi të udhëtonte drejt Nju Jorkut për ta takuar, Louis nuk kishte menduar asnjëherë për pamjen e saj. E kishte ndjerë përmes vargjeve, ashtu siç mund të ndjehet një ndryshim që vjen ngadalë e të pushton, por vetëm kaq. Kur ajo u afrua, ai i buzëqeshi dhe gjatë gjithë rrugës për në fshatin Greenwhich ku ai jetonte nuk folën asnjë fjalë. Louis i liroi një nga dhomat e shtëpisë së madhe dhe i tha se mund të jetonte aty sa të dëshironte. Në mbrëmje, në verandën e shtëpisë, ata hëngrën darkën. Pas bisedave për letërsinë amerikane, vargjet e Louis apo poezitë surrealiste të Lorine Niedecker, biseda shkoi dhe te fustani i saj. Atë mbrëmje, ai thjesht i preku duart dhe mbrëmjet më pas do t’i jetonin bashkë. Louis Zukofski, poet i njohur amerikan, do të kishte një ndikim të madh në krijimtarinë letrare të një prej poeteve më të dashura të shekullit XX, siç është Lorine Faish Niedecker. Ajo i shkroi atij për herë të parë në vitin 1931, pasi kishte lexuar një përmbledhje të tij poetike në revistën “Poetry”, duke i bashkangjitur një përmbledhje poezish të saj. Kjo ishte letra e parë që do të pasohej me dhjetëra letra që ai ia niste nga Nju Jorku, duke e orientuar për prirjen e saj letrare dhe hapat që duhet të hidhte për t’u bërë e pranueshme në botën e botimeve. Kur poezitë e saj u botuan për herë të parë në revistën “Poetry”, ajo u rendit menjëherë bri emrave më të njohur të letërsisë amerikane. Takimi i tyre në Nju Jork do të sillte një tjetër ndryshim në jetën e Lorine. Ajo ngel shtatzënë, por ky fëmijë nuk dëshirohet nga Zukofski i cili i kërkon ta abortojë. Lorine vendos ta mbajë fëmijë dhe kthehet në Fort Atkinson dhe vijojnë të ruajnë me njëri-tjetrin një komunikim përmes letrave, i cili do të ishte i dobishëm për të ardhmen letrare të Lorine.


 


 


 


Lorine Faith Niedecker është femra e vetme në grupin e poetëve që sollën objektivizëm në vargjet e tyre. Letërsia e saj tregoi se mund të jesh e suksesshme, edhe duke shkruar për çështje personale. Niedecker lindi në Black Island dhe pjesën më të madhe të fëmijërisë e kaloi në një zonë të mbyllur rurale. Shtëpia e saj ndodhej bri një lumi dhe Lorine i kujton vitet e fëmijërisë si një përrallë të bukur. “Mbyllja sytë duke dëgjuar zhurmën e lumit dhe këngën e mrekullueshme të zogjve në kopshtin tim. Kjo ishte muzika që shoqëronte ëndrrat e mia”, kujton ajo. Pas mbarimit të kolegjit në vitin 1922, ajo shkoi në Berloit Kolegj për të studiuar letërsi, por u largua pas dy vitesh pasi i ati nuk ishte në gjendje për t’ia paguar studimet. Lorine kthehet në shtëpi dhe kujdeset për nënën e sëmurë e cila po kalonte një depresion të thellë, pasi kishte zbuluar lidhjen e të shoqit me fqinjën. Në vitin 1928, ajo martohet me Frank Hartwig, lidhje e cila zgjati vetëm dy vjet. Biografët e poetes kanë nxjerrë në pah disa të vërteta nga kjo bashkëjetesë. Sipas tyre, Frank Hartwig ishte homoseksual dhe ata kanë fjetur si burrë dhe grua vetëm një natë. Nathalie Kafman, një mikja e saj e ngushtë, tregon se Lorine u martua pa pasur një eksperiencë me burrat dhe ajo çfarë kërkonte te Frank më shumë se një bashkëshort, ishte një mik. “Ajo kishte nevojë për një burrë me të cilin do të bisedonte dhe të ndante me të të gjitha pikëpamjet e saj për jetën dhe artin. Në ato vite kjo ishte diçka e pazakonshme për një martesë, por Lorinë këtë donte dhe nuk ishte në gjendje të kuptonte prirjen e tij seksuale”, tregon Kafman në biografinë kushtuar poetes. Frank hapi një biznes gjatë kohës së martesës së tyre ndërsa Lorine punonte në bibliotekë, por gjatë Depresionit të Madh, ata e humbën punën dhe në vitin 1942, i dhanë fund dhe zyrtarisht martesës së tyre. Që në botimin e poezive të saj të para u ndje fryma surrealiste. Ajo ishte një ëndërrimtare e madhe dhe si e tillë nuk mund t’i shmangte këto ndjesi në vargjet që shkroi. Nga mesi i vitit 1930, poezitë e saj filluan të largoheshin disi nga surrealizmi dhe të kishin një lidhje më të drejtpërdrejtë me situatën social-politike të kohës. Libri i saj i parë u botua në vitin 1946 dhe përmbledh shumë nga këto poezi. Për 15 vjet, ajo nuk botoi asnjë poezi. Në vitin 1949, ajo nisi punën për një libër të titulluar “Për Palin”, kushtuar djalit të saj me Zukofskin. 72 poezitë që ajo kishte përmbledhur nën këtë titull kishin detaje tërësisht personale, që nga takimi me poetin amerikan Kukofskin, orët e dashurisë, debatet për poezinë dhe shtatzëninë. Lorine kishte përshkruar gjithçka që kishte ndjerë për lindjen e fëmijës së saj të parë e të vetëm në Fort Atkinson.


Në vitin 1960, pati një rikthim të interesit ndaj poezive të Niedeckersit. Botimi i vargjeve të saj në revistat më të mira të kohës u bë i rregullt. Këto poezi shoqëroheshin nga emra të njohur të letërsisë së asaj periudhe si Cid Corman, Basil Bunting. Librat e saj do të botoheshin me titujt “Pema e miqësisë”, “Jeta ime si ujë”, apo “Koleksion poezish nga viti 1936-1966”. E inkurajuar nga ky interes Lorine nisi të shkruante sërish. Në vitin 1963 ajo u martua me Albert Millen, piktor, martesë e cila i solli stabilitet financiar. Në fund të viteve të jetës së saj ai u kthye në shtëpinë e fëmijërisë që e kishte trashëguar nga i ati. Në vitin 1970, ajo vdiq nga një hemorragji cerebrale duke lënë pas një mori dorëshkrimesh. Shumë nga këto dorëshkrime u dogjën nga Millen, i cili tha se kjo kishte qenë një dëshirë e Lorine. Biografja Margot Peters ka sjellë në një libër gjithë jetën e saj. Një jetë që nis nga ëndrrat me krah zogjsh, me dashurinë e humbur rrugëve të Nju Jorkut, dhe emrin e saj në revistat më të njohura të kohës…