Përvjetori


Nëse do të ishte gjallë, sot do të ishte 40 vjeçe. Lumturi Sylaj lindi në qytetin e Bajram Currit dhe që kur ishte fëmijë ëndërronte të ishte një sportiste. Ndoshta ky pasion e mbajti gjallë dhe rininë e saj, që ia dedikoi sportit. Pasi mbaroi studimet në Shkollën e Mjeshtërisë, ajo konkurroi në institutin e fizkulturës “Vojo Kushi” dhe fiton të drejtën për të vazhduar për katër vjet në këtë “fole” të rëndësishme të sportit, si mësuese e së ardhshmes. Por forca dhe karakteri që kishte e bënë t’i përgjigjej menjëherë ftesës së trajnerëve dhe drejtuesve të federatës së peshëngritjes, për të konkurruar në këtë sport. Kësisoj ajo bëhet femra e parë që merrej me peshëngritje, e thënë ndryshe “dallëndyshja” e shtangës shqiptare. Interesant është fakti se në veprimtarinë e parë ndërkombëtare, ajo fiton medaljen e parë në Athinë. Madje dy të tilla, njërën në shkëputje dhe tjetrën në shtytje. Me dy medalje, njëra argjendi dhe tjetra bronzi, kthehet në atdhe më e lumtur se kurrë. Ishte viti 1993 dhe kështu vazhdoi për disa kohë. Ish-drejtuesi i Federatës së Peshëngritjes, Ferit Berberi, kujton me nostalgji këtë emër, që për fat të keq i mungon sot familjes dhe sportit shqiptar. Ai vlerëson “guximin dhe kurajën e një vajze, që mori përsipër të ngrinte flamurin tonë në peshëngritje dhe e sheh si një dritare për brezat e ardhshëm, që u morën me këtë sport”. Me fjalë të ngrohta dhe vlerësime maksimale flet edhe ish-kolegia e saj, atletja kampione Valbona Laukaj, që ndihet “e pezmatuar për një mungesë kaq të rëndësishme sot. Lumja, ishte modeli se si duhej të merrej një femër me sport dhe këtë model ajo e kultivoi te nxënësit e saj kur mbaroi studimet dhe doli mësuese. Nëse do të ishte gjallë, Lumja sot do të ishte 40 vjeçe dhe do të festonte përvjetorin e lindjes së saj. Por ëndrrat e sportit dhe të jetës iu ndërprenë në mes, duke lënë pas një dhimbje dhe një hendek të madh për djalin Kristin, prindërit, motrat e vëllezërit, por edhe për familjen e madhe të sportit shqiptar. Ky shkrim, është sot një homazh, në respekt të vlerave të saj, në vend të një kartoline urimi, që nuk qe e thënë t’ia bënim në 40-vjetorin e lindjes.


 


Medaljet


Lumturia ishte femra e parë që u mor me peshëngritje dhe më pas edhe femra e parë solli dy medaljet e para në Shqipëri