Procedimi penal


Policia dërgoi dosjen në prokurori dy ditë më parë, duke hedhur dyshime mbi disa aktivitete të saj


E veja e Mirit të Xhikes, Manjola Prifti, e cila është në arrest shtëpie, pasi akuzohet nga drejtësia italiane për trafik droge, po hetohet edhe në Shqipëri për pastrim parash. Informacioni konfidencial mësohet nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilat shpjegojnë se dy ditë më parë, seksioni i pastrimit të parave në Drejtorinë e Policisë së Tiranës kanë dërguar në organin e akuzës materialet në ngarkim të saj. Burimet pranë institucionit të akuzës shpjegojnë se specialistët e policisë kanë zbuluar aktivitete të dyshimta të Manjola Priftit, që sipas tyre, kryhen për pastrim parash. Në këto kushte, është regjistruar procedimi penal në ngarkim të saj, ndërkohë që gjashtë ditë më parë, Gjykata e Tiranës e ka lënë në arrest shtëpie Manjola Priftin, të venë e Fatmir Ramës (Miri i Xhikes). Ajo u arrestua me një urdhër të drejtësisë italiane. Kërkesa për caktim masë sigurimi arrest shtëpie është bërë nga prokuroria, e cila pohoi se 37-vjeçarja ka në kujdestarinë e saj një vajzë dhe një djalë të mitur. Në seancën e 31 majit, edhe avokati Arben Prifti pranoi kërkesën e akuzës, ndërsa pohoi se klientja e tij nuk ka kryer asnjë vepër penale në Itali, madje proceset hetimore dhe gjyqësore i ka mbyllur në vendin fqinj. Megjithatë, prokuroria paraqiti në seancë vetëm kartën e Interpolit, ku nën emrin e Priftit shkruhet se ka marrë pjesë në një organizatë kriminale, ndërsa akuzohet për trafik droge dhe pastrim parash. “Arrestimi i Manjola Priftit u bë sepse Interpol Tirana, me shkresë nr. 869kl/1, Prot. LA-FKB 474, datë 27 prill 2012, e ka shpallur në kërkim me kartelë të ‘Kuqe’”.


Ble.Gi.