Arrestohen edhe katër zyrtarë të tjerë, teksa tentonin vjedhjen e 100 mijë dollarëve skrap


“Skrapi” ka qenë emri i koduar i operacionit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier që ka vënë dje në pranga drejtorin e Uzinës së Plehrave Azotike të këtij qyteti, teksa së bashku me katër vartës të tij ka qenë duke vjedhur një sasi mbetjesh metalike me vlerë 11 milionë lekë të reja (rreth 100 mijë dollarë).


Ka më shumë se një vit që media ka denoncuar vjedhjen e skrapit nga ambientet e Uzinës së Azotikut


Ka qenë një hetim disamujor i Task-Forcës pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier dhe Zyrës së Luftës Kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë, që ka mundësuar zbardhjen e vjedhjes së skrapit në mes të ditës nga vetë zyrtarët shtetërorë. Me anë të teknikave speciale të hetimit, ato të përgjimit dhe survejimit të të dyshuarve, policia ka arritur të sigurojë prova konkrete për vjedhjen masive që i është kryer ish-gjigantit të Azotikut nga vetë drejtuesit e saj. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, për këtë vjedhje janë vënë në pranga: Ferdinand Doksani 47 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, me detyrë drejtor i Uzinës së Plehrave Azotike Fier; juristi i kësaj uzine, Julian Hoxha 26 vjeç; magazinieri Sotiraq Llazi 57 vjeç dhe përgjegjësi i rojave, Ali Liçaj 62 vjeç, që të tre banorë të qytetit të Fierit. Gjithashtu, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetases Adelina Daka, 47 vjeçe, banore e qytetit të Fierit, me detyrë ekonomiste financiere në Uzinën e Plehrave Azotike Fier. Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se arrestimi i këtyre zyrtarëve të Uzinës së Azotikut është bërë për veprën penale të “vjedhjes së kryer, duke shpërdoruar detyrën”, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe “korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë detyra publike”, parashikuar nga nenet 135, 25, 22 dhe 244 të Kodit Penal. Nga burimet e policisë është bërë e ditur se rreth orës 11:30 të ditës së djeshme, pesë zyrtarët e sipërpërmendur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të vjedhin një sasi skrapi në një magazinë të kësaj ndërmarrjeje, ku ndodhen të magazinuara materiale me vlerë 11 milionë lekë. Mësohet se teksa të pesë zyrtarët kanë qenë duke vjedhur në bashkëpunim me njëri-tjetrin sasinë e skrapit 100 mijë dollarësh dhe ndërsa po e tentonin ta transportonin atë jashtë territorit të ndërmarrjes, kanë ndërhyrë forcat e policisë që kanë qenë në dijeni të të gjitha lëvizjeve të tyre. Gjithë veprimet e hajdutëve të dyshuar janë filmuar nga oficerët e antikrimit dhe në të njëjtën kohë janë përgjuar bisedat e kryera mes tyre. Sipas burimeve të Prokurorisë së Fierit, dyshohet se organizator i kësaj vjedhjeje ka qenë drejtori i Uzinës së Plehrave Kimike, Ferdinand Doksani. Ndërkaq, pritet që të verifikohet gjithë dokumentacioni i mëparshëm i firmosur nga të ndaluarit dhe nga bashkëpunëtorja e tyre për të konstatuar nëse ka pasur edhe të tjera parregullsi lidhur me sasitë e skrapit të nxjerra nga kjo ndërmarrje.


Ka më shumë se një vit që media ka denoncuar vjedhjen e skrapit nga ambientet e Uzinës së Azotikut. Madje kanë qenë edhe disa tenderime për marrjen e skrapit që gjendej aty, që u pezulluan për shkak të parregullsive të tyre dhe po hetohen nga Prokuroria e Tiranës. Ndërkaq, vetëm pak javë më parë u denoncua në emisionin investigativ “Fiks Fare” vjedhja e skrapit nga ambientet e TEC-it të Fierit që kryhej nga vetë punonjësit dhe zyrtarët e kësaj ndërmarrjeje. Por, pas një hetimi të nisur nga policia dhe prokuroria në bazë të pamjeve filmike të transmetuara në “Fiks Fare”, nuk u arrit të provohej autorësia e vjedhjes nga zyrtarët e TEC-it. Prokuroria e delegoi dosjen hetimore në polici për plotësim me prova të reja. Vjedhja e skrapit është kthyer në një nga aktivitetet kriminale më të përhapura në vend. Operacioni i djeshëm i organeve të hetimit ka nxjerrë në dritë grabitjen masive që po u kryhet ndërmarrjeve shtetërore nga vetë drejtuesit e tyre.


Edmond Hoxhaj


 


Arrestimet


Policia arrestoi drejtorin e Azotikut, Ferdinand Doksani, juristin Julian Hoxha, magazinierin Sotiraq Llazi dhe përgjegjësin e rojave, Ali Liçaj. Në hetim është edhe financierja e uzinës, Adelina Daka