Tiranë
Policia e Tiranës është alarmuar nga frika se po ndodhte një vjedhje banke, por pas rrethimit të zonës ka kuptuar se alarmi ishte dhënë nga një pastruese që ishte harruar e mbyllur brenda. Ngjarja ka ndodhur pranë stadiumit “Qemal Stafa” në Tiranë, ndërkohë që policia ka marrë në pyetje pastruesen, duke hequr dyshimet mbi të. Burimet policore të kryeqytetit thanë se alarmi është dhënë pas një telefonate në sallën operative, ndërkohë që më pas ka rënë edhe sinjali i bankës. Telefonuesi ka shpjeguar se në një bankë pranë vendit të lartpërmendur po binte sinjali. Në këto kushte, vendi i ngjarjes është rrethuar nga policët, por brenda bankës është gjetur vetëm pastruesja, e cila ka shpjeguar se punonjësit e kishin harruar dhe mbyllur brenda, kështu që ishte detyruar t’i binte sinjalit, që ta nxirrnin që aty.
B.G.