Situata


Drejtoresha e BB-së për Tiranën analizon situatën në vend


Banka Botërore deklaroi se ka ulur vlerësimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë këtij viti në vetëm 1.6 për qind.  Pas publikimit të raportit të zhvillimit ekonomike për Europën Juglindore, drejtoresha e Bankës për Shqipërinë, Ksenia Lvovski, në një intervistë për “Top Channel”, parashikon se viti 2012 do jetë i vështirë duke shpjeguar dhe arsyet.


“Situata në Europë vazhdon të jetë e përkeqësuar, recesioni vazhdon dhe turbulencat po ashtu, ka rreziqe në rritje për një dalje të Greqisë. Në këto kushte nuk është çudi që ekonomitë e vogla dhe të hapura të Europës Juglindore të përballen me kohë të vështira dhe ngadalësim të ekonomisë”, thotë zonja Lvovski.


Por çfarë do të thotë një rritje në nivele kaq të ulëta për Shqipërinë dhe si i prek ajo qytetarët?


“Është 2 apo 1.6 apo 3 për qind, nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Është një rritje e dobët dhe e pamjaftueshme për të luftuar varfërinë dhe papunësinë. Një rritje e ngadaltë nuk mund të jetë një rritje që shkon për të varfrit. Pikërisht për këtë arsye, prioriteti kryesor i Shqipërisë duhet të jetë mbrojtja për të varfrit”, përgjigjet drejtoresha e BB-së për Shqipërinë.


Zonja Lvovski thotë se në këto kohë të vështira vende si Shqipëria kanë pak mundësi për të reaguar për shkak se qeveritë nuk kanë hapësira fiskale dhe para. Me shqetësim Banka Botërore vëren këtë radhë edhe borxhin që qeveria ka krijuar ndaj bizneseve me detyrimet e papaguara.


“Vitet e fundit ka disa detyrime të prapambetura ndaj sektorit privat, nëse bizneset nuk paguhen, është e qartë se preket aftësia e tyre për të vazhduar aktivitetin. Ky ka qenë edhe një nga faktorët, ndonëse jo i vetmi, që ka rritur kreditë e këqija në banka. Disiplina fiskale duhet të jetë më thelbësore sesa numrat, sepse është e rëndësishme që deficiti të mbahet në 3 për qind, por është gjithashtu e rëndësishme që të ndalet krijimi i borxheve në të ardhmen”, deklaron zonja Lvovski.


E gjendur në vështirësi financiare qeveria është duke negociuar me Bankën Botërore për një kredi prej 300 milionë dollarë si mbështetje buxhetore. Negociatat vazhdojnë prej disa muajsh, dhe në këtë pikë zonja Lvovski ka një mesazh për qeverinë.


“Pritet që së shpejti qeveria të fillojë rishikimin e buxhetit. Kjo është diçka që ne e kemi diskutuar. Pas këtij rishikimi ne do të jemi më të aftë të kuptojmë më mirë se sa shpejt mund të lëvizim me asistencën tonë”, përfundon drejtoresha Lvovski.