Portugali


Ylli portugez beson se i ka të gjitha mundësitë që ta fitojë “Topin e Artë” këtë sezon


Ylli i Portugalisë, Kristiano Ronaldo, ka deklaruar se nuk ka ndërmend t’i lërë kampionët spanjollë, ndërsa ka pranuar se është në një ‘pozitë të mirë’ që të fitojë “Topin e Artë”. Ai ka justifikuar vlerën e madhe të parave që shpenzoi Perez për ta sjellë në “Bernabeu”, duke shënuar 60 gola në të gjitha garat në sezonin 2011-2012, kur “Los Blancos” siguroi titullin e parë në La Liga që nga viti 2008. Muajin e kaluar Ronaldo ka refuzuar të flasë me siguri për të ardhmen e tij, por tani deklaron se nuk e sheh veten duke luajtur për një tjetër klub. “Nëse do të ishte për mua, do të qëndroja në Madrid deri në fund të karrierës sime, tha ai për ‘Marca’. Por kjo nuk varet vetëm nga unë…”. Lojtari portugez gjithashtu foli për kënaqësinë e tij për rinovimin e Murinjos, i cili do të jetë në krye të klubit madrilen deri në vitin 2016. “Ai ka bërë një punë të përsosur, ndaj jam i lumtur për këtë, që ka rinovuar dhe do të qëndrojë me ne. Një klub si Real Madridi duhet të ketë një trajner të nivelit të lartë, si Murinjo. Ai duhet të jetë në vendin e duhur. Duket qartë se Reali vendosi të fitojë sa më shumë tituj, çka do të ishte e vështirë pa Murinjon në stol”. Ronaldo ka qenë kandidat potencial në garën për “Topin e Artë”, ndërkohë që mendon se tashmë është në një pozitë të mirë për të mundur yllin e Barcelonës, Lionel Mesi, për këtë çmim prestigjioz. “Unë nuk dua të mendoj shumë për këtë, por nuk mund ta mohoj se dua dhe mund ta fitoj atë, pasi është ëndrra e çdo lojtari, ka shtuar 27-vjeçari. ‘Topi i Artë’ është kulmi për një lojtar, por kjo vjen edhe si pasojë e mënyrës së të votuarit. Unë po e bëj detyrën time në fushën e lojës, kështu që është më mirë të presim. Por, në këtë pikë do të jem i sinqertë: mendoj se jam shumë mirë i vendosur për ta fituar atë, ose të paktën për t’u emëruar në rrethin e ngushtë të kandidatëve, sepse kam pasur një sezon fantastik. Është e qartë se unë dhe lojtarë të tjerë të Realit të Madridit e meritojmë për t’u nominuar.”