Prezantohet me dy titujt e parë të botuar: “Shitësit e Apokalipsit” dhe “Publikja Shqiptare” 


Në Prishtinë u hap Panairi tradicional i Librit Prishtina 2012. Rreth 80 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia do të mbajnë të hapura për një javë rresht tendat me libra. Kryetari i Shoqatës së Botueseve në Kosovë, Daut Demaku, tha se këtë vit prezantohen rreth 1600 tituj librash të rinj. Me mbështetjen e MTKRS-së, në këtë panair kanë aktivitetet e tyre edhe shkrimtarët Visar Zhiti, Agron Tufa, Flutura Açka, Uran Butka, Amik Kasoruho etj. Për herë të parë në Panairin e Prishtinës prezantohet edhe shtëpia botuese “Saras” nga Shqipëria. “Ftesën për të marrë pjesë e pritëm me interes, sepse si shtëpi e re botuese kemi marrë pjesë vetëm në Panairin e Librit në Tiranë vitin e shkuar. Jemi një shtëpi botuese e re, jemi pjesë e kompanisë mediatike ‘Top Media’ dhe sapo kemi filluar të botojmë titujt e parë”, tha Bajram Peçi, përfaqësues i shtëpisë botuese “Saras”. “Saras” i prezantohet lexuesit kosovar me dy tituj ambiciozë: “Publikja Shqiptare” një përmbledhje me 12 ese kritike kushtuar çështjes kombëtare, të shkruara nga 12 personalitete të kulturës dhe të mendimit mbarëshqiptar, si dhe me romanin “Shitësit e Apokalipsit” të autorit Gazmend Krasniqi, një rrëfim në të cilin shkrimtari eksperimenton me kohën, ku takohen hyjnitë e lashtë, shenjtorët dhe personazhe të njohura historike për shqiptarët. “Në vëmendje të shtëpisë botuese ‘Saras’ do të jetë krijimtaria letrare e krijuesve të rinj shqiptarë, emra të njohur dhe jo të njohur të letërsisë shqipe e po ashtu vëmendje të veçantë do t’i kushtojmë librit historik në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ne do të kemi parasysh që të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze në këtë gamë”, shtoi Bajram Peçi. Panairi Prishtina 2012 do të jetë i hapur deri më 10 qershor. A. Berisha