Dyndja e produkteve të krijuara në orbitë. Dyshekë, vaksina dhe motorë të teknologjisë së lartë
Agjencia: Tani njerëzit do ta kuptojnë se të hollat e stacionit hapësinor shpenzohen më së miri
Nëse produktet “Made in Italy” vlerësohen jashtëzakonisht dhe ato “Made in China” nuk kanë aspak një opinion të mirë, tani po provohet me “Made in Space”, që po i trondit tregjet. Prezantimi i markës së re është një prej projekteve të paraqitura nga Agjencia Hapësinore Europiane në simpoziumin e Berlinit, për stacionin hapësinor ndërkombëtar. Etiketën “Made in Space” kanë të drejtë ta mbajnë materialet, aparaturat dhe shpikjet e zhvilluara në hapësirë, por me një kusht që të vlejnë edhe në Tokë. Të tilla produkte janë: shkuma me krijimin e formave (e përdorur te dyshekët), termometri që mat temperaturën në vesh, sterilizuesi i plazmës që vret bakteret pa nxehtësi, aeroxheli, materiali më i lehtë i ajrit i përdorur si izolant termik në misionet hapësinore, por i përshtatshëm si për dritaret ashtu edhe për vetratat. Mes objekteve më të përhapura, të krijuara nga punët e ndryshme në hapësirë janë sensorët e zjarrit të përdorura për t’i parandaluar ato, ndërsa filtrat që e bëjnë ujin të pijshëm sipas shkencëtarëve janë kopjuar nga disa organizata joqeveritare që punojnë në Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Përhapja e baktereve në hapësirë, shumë më e qëndrueshme se në Tokë – premton zbulimin e një vaksine kundër salmonelës. Ndër teknikat dhe aplikimet më të përshtatshme për industrinë janë lidhjet metalike krejtësisht kristale, që konsiderohen të përsosura. Duke përzierë elementë në mungesë të gravitetit u shpikën kështu shkumat metalike: flluskat e ajrit brenda tyre i bëjnë tepër të lehta dhe të afta për të duruar tronditjet. Janë ideale edhe për vinçat. Me një kombinim të ri të quajtuar aliazh titani, iu reduktua gjysma e peshës motorëve të avionëve. Ndaj edhe firmat që kujdesen për nevojat në tokë duhet të fillojnë të bëjnë eksperimente në mungesë të gravitetit. “Nestlé” për shembull u ftua në simpoziumin e Berlinit për të folur për një eksperiment që po kryhet në stacionin hapësinor ndërkombëtar. Qëllimi? Për të gjetur shpërndarjen perfekte të flluskave të ajrit te produktet si ajka dhe kafeja. Prodhuesi japonez i birrës “Sapporo” e distileria e uiskit skocez “Ardbey” janë përpjekur të kuptojnë sekretet e fermentimit dhe ripërzierjes së aromave në kontejnerët që nuk janë prekur nga pesha. Nga Nju Jorku në hapësirë pastaj shumëkombëshja e parfumeve “International Flavors and Fragrances” në vitin 1998 solli një trëndafil në anije për të studiuar aromën e tij në mungesë të gravitetit, por zbuloi se lulet në hapësirë nuk kanë aromë dhe kështu ndërpreu eksperimentet.
Pjesa më e madhe e shpikjeve të bëra në orbitë dhe më pas të ardhura në Tokë, ndoshta sepse shpesh u nevojiten fushave të caktuara, mbeten të panjohura për shumicën. Ja pse Agjencia Hapësinore Europiane ndjeu nevojën për të prezantuar idenë e markës “Made in Space”. Edhe në momentin që agjencia bëri të ditur projektin u duk si diçka krejt larg të rastësishmes. Gjatë viteve të ardhshme, Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar do të marrë nga 14 vendet anëtare 100 miliardë (pothuajse një euro në ditë për çdo qytetar europian). Kriza ekonomike që ka përfshirë botën, ka prekur si Agjencinë Hapësinore Europiane ashtu edhe NASA-n. Gjithsesi, shumë herë në të kaluarën Stacioni Hapësinor është akuzuar se nuk ka arritur rezultatet e premtuara shkencore të premtuara në momentin e lëshimit. Me fjalë të tjera, operacioni “marketing” më shumë sesa konsumatorëve të produkteve “Made in Space” duket se u drejtohet qeveritarëve të thirrur për të përcaktuar se cila do të jetë e ardhmja e stacionit të hapësirës dhe e kërkimit hapësinor.
Intervista
Flet astronauti: Kjo është një mënyrë që do të na ndihmojë të kapërcejmë krizën
Ka shumë hapësirë në jetën tonë të përditshme. Mjafton të mendosh se çfarë do të ndodhte nëse do të qëndronim një ose dy ditë pa satelitë. Umberto Guidoni në vitin 2001 ishte europiani i parë që u ngjit në bordin e Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar, në pothuajse 400 kilometra lartësi.
A ka pasur eksperimente që mund t’i vlenin përditshmërisë në Tokë?
Gjatë misionit të parë në vitin 1996, studiuam një metodë për të hequr kafeinën nga kafeja duke shfrytëzuar ndryshimet e fazës.
Po aplikimit në fushën mjedisore?
Edhe motorët me benzinë të përdorura nga Apollo janë një shembull i energjisë së pastër. Hidrogjeni dhe oksigjeni kombinohen për të prodhuar elektricitetin. Uji i gjeneruar nga reaksioni u përdor për higjienë dhe konsumohej nga astronautët. Ka një shije pak më të fortë, por të shuan etjen.
Ideja e markës është motivuar nga frika e reduktimit të fondeve?
Hapësira po ndien shumë krizën. NASA dhe Agjencia Hapësinore Europiane janë prekur nga shkurtimet dhe i gjithë sektori është në kërkim të motivimeve të reja. Një lajm i mirë është pjesëmarrja e privatëve, që në të kaluarën u është ndier goxha mungesa.
Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar duhet të bashkohet me anijen e industrisë private “Space X”. Kjo është hera e parë që ndodh diçka e tillë…
Është e rëndësishme që të financohemi nga privati. Në fund të fundit edhe marka “Made in Space” mund të shihet si një tentativë për të kryer sa më shumë misione në hapësirë. Më e rëndësishmja është që të mos braktiset dhe qëllimet e lartpërmendura duhet të mbeten në dorë të agjencive hapësinore private.
Astronauti
Në vitin 2001 ishte europiani i parë që u ngjit në bordin e Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar
Shumë aplikime janë përdorur: kjo iniciativë motivohet nga frika e shkurtimeve
Objekte dhe materiale “Made in Space”
Agjencia Hapësinore Europiane po prezanton markën “Made in Space”
Kjo markë do t’u bashkëngjitet produkteve të zhvilluara në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar
Qëllimi: Për të vërtetuar faktin se studimet hapësinore i meritojnë investimet
Termometri që mat temperaturën në vesh
Shkuma për dyshekët që ruan kujtimin e formës
Sterilizuesi i plazmës lejon ngordhjen e baktereve në temperaturë ambienti
Motorët e avionëve me aliazhe titani i bën 50% më të lehtë
Shkumat metalike: metale me bulëza ajri brenda tyre për t’i bërë më të lehta dhe më të forta
Pastruesi i ujit: filtrat e përdorura në Stacionin Hapësinor përdoren sot në disa fshatra afrikanë
Vaksinat: disa baktere në hapësirë shumohen më me shpejtësi se në Tokë. Kështu është zbuluar se cili është mekanizmi i bllokimit përmes një vaksine
Ajkë me çokollatë
Kompania “Nestlé” ka një projekt për të studiuar shpërndarjen homogjene të bulëzave në ajkën e qumështit