Francë
Pas zgjedhjeve presidenciale të fituara nga Hollande, Franca do të zgjedhë deputetët e ardhshëm. Pikërisht populistët e krahut të djathtë përreth Marine Le Pen mund të ndihmonin Presidentin socialist, François Hollande, për të krijuar shumicën. Dhe kjo një javë para se të dielën e ardhshme në vendin amë të hapen lokalet e votimit. Rezultatet e para të këtyre zgjedhjeve mund të lexohen në faqet e internetit të Ministrisë së Jashtme franceze, edhe pse në Francë, zgjedhjet janë të përgjithshme, të barabarta dhe të fshehta. Nëse vazhdon kjo tendencë e votave, në radhë të parë François Hollande duhet të ndihet fitues. Që Hollande do të marrë shumicën e dëshiruar për të majtën në Parlament, e profetizojnë edhe sondazhet e fundit dhe përvojat e së shkuarës: Sa herë që një president është zgjedhur, apo konfirmuar në Elize, votuesit menjëherë pas kësaj e kanë pajisur me shumicën e vet parlamentare. Megjithatë, vështirësia në zgjedhjen e Parlamentit në Francë qëndron në detaj. Sistemi zgjedhor mazhoritar francez i bën vlerësimet e zakonshme të sondazheve vlera orientuese. Me rëndësi janë në radhë të parë marrëveshjet midis partive, të cilat muaj para votimit mund të hedhin themelet për koalicionin qeverisës. Kështu, socialistët që në vitin e kaluar i kanë premtuar partnerit të tyre në qeveri të gjelbërve, se do të heqin dorë nga kandidati i tyre në më shumë se 60 zona zgjedhore. Pa këto marrëveshje, hyrja e të gjelbërve në Parlament do të ishte pothuajse e pamundur. Marrëveshja në mes të Frontit të Majtë të Jean-Luc Mélenchon dhe socialistëve dështoi megjithatë pak ditë më parë. Në balotazhin e një jave më vonë mund të hynin përfaqësues të shumtë të lëvizjes komuniste, sepse për këtë, krahas dy të parëve, kualifikohen edhe kandidatë të tjerë, që bashkojnë më shumë se 12.5 për qind të votave të të gjithë votuesve. Dhe kritiku i kapitalizmit Mélenchon, më së voni pas fushatës së tij të suksesshme presidenciale noton në një valë suksesi. Është shumë e mundshme, që përpara votimit të dytë të tërhiqen disa socialistë dhe t’u ndihmojnë kandidatëve të Frontit të Majtë për një vend në Parlament. Gjithsesi sondazhet e fundit nuk parashikojnë që Partia Socialiste të ketë shumicë të vetën në Parlament. Ajo do të duhet të bëjë koalicion me të gjelbrit dhe Frontin e Majtë. Një fitore e fortë e së majtës ekstreme mund të rrezikonte konsolidimin e financave publike franceze, mendon analisti politik Emiliano Grosman i Universitetit elitar parizian Sciences Po: “François Hollande është një socialist i moderuar. Premtimet e tij për një pakt zhvillimi i sjellin vetëm disa ndryshime kozmetike paktit fiskal europian. Por nëse Fronti i Majtë del shumë mirë, presioni për një reformë të thellë do të ishte shumë më i madh. Ky do të ishte pastaj një problem për të gjithë Bashkimin Europian dhe marrëdhëniet me Gjermaninë”. Se sa do të përfaqësohen në Parlament të Gjelbrit dhe Fronti i Majtë, regjistrohet me saktësi në Pallatin Elize. Sidomos në politikën sociale dhe ekonomike, parlamentarët kanë të drejta të mëdha. Një gjë është e qartë: Presidenti ka bërë premtime të mëdha në fushatë, të cilat mund të zbatohen vetëm me një shumicë të majtë parlamentare. Kampi konservator i llogarit shpenzimet e masave të para të qeverisë në 20 miliardë euro dhe e quan aventuresk kursin e qeverisë. Ligji zgjedhor bën megjithatë që perspektivat për UMP pas tërheqjes së Nicolas Sarkozy në jetën private të jenë modeste. Por, sipas sondazheve të fundit, partia nuk do të pësojë humbje shkatërrimtare. Qëllimi i Marine Le Pen është që të shkatërrojë partinë UMP dhe të përvetësojë pastaj disa pjesë të saj. “Sa më e madhe të jetë humbja e UMP-së, aq më e madhe është mundësia, që të ketë tensione të konsiderueshme brenda konservatorëve”. Pikërisht këtu e ka syrin udhëheqësja e FN-së Le Pen, e cila synon të fitojë zgjedhjet e ardhshme presidenciale në vitin 2017. Që Le Pen me partinë e saj për herë të parë që nga viti 1986 hyn përsëri në Parlament, është një pikë kthese politike. Para një çerek shekulli, partia kundër BE-së dhe të huajve përfitoi nga ligji proporcional zgjedhor, të cilin Presidenti Mitterrand e pati futur për të dobësuar konservatorët.