Autori i vrasjes së parë vdiq, por familja nuk ia fali gjakun, duke i vrarë vëllain


Familja Përlala nga Rubiku nuk ia ka falë gjakun familjes Tuci, edhe pse autori, Fatmir Tuci që u kishte vrarë njeriun e tyre të dashur, ka vdekur pak kohë më parë. Pas mortit të parë, tashmë familja Tuci duhet t’i japë lamtumirën e fundit edhe djalit tjetër, të cilin ia ka vrarë familja Përlala për gjakun që i kishte borxh. Për këto familje nuk ka ekzistuar ligji, por vazhdon të mbetet në fuqi kanuni, ndërkohë që policia ka arrestuar autorin. Bëhet fjalë për ngjarjen e rëndë, që dje tronditi qytetin e vogël të Rubikut, ku Fatmir Tuci u vra në pritë nga dy vëllezërit Përlala, njëri prej të cilëve u arrestua, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim.


Burimet policore lokale bëjnë me dije se ekzekutimi ka ndodhur në orët e para pas mesnatës në një lokal në Rubik. Sipas policisë, viktima është Nik Tuci, 30 vjeç, ndërsa është arrestuar autori i dyshuar për këtë krim, Arjan Përlala, 40 vjeç, së bashku me armën e krimit. Autori i dytë i krimit, Plaurent Përlala, 28 vjeç është shpallur në kërkim. Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të një hasmërie të pesë vjetëve më parë midis këtyre dy familjeve. Ndërsa dy net më parë, dy vëllezërit kanë pritur Tucin, derisa janë siguruar se mund të bënin ekzekutimin e tij, dhe e kanë qëlluar me breshëri. Menjëherë policia ka nisur hetimet, duke identifikuar dy vëllezërit e dyshuar, njëri prej të cilëve u arrestua në një kohë të shkurtër, ndërsa tjetri mendohet se është larguar në male. Policia e Lezhës ka ngritur postblloqe për kapjen e autorit, ndërsa familjet po mbahen në vëzhgim.


Historia mes dy familjeve zë fill pesë vjet më parë, kur familjes Përlala i është vrarë një pjesëtar nga vëllai i Nik Tucit, i cili ka vdekur për shkaqe natyrore vetëm pak javë më parë. Por, edhe pse ai ka vdekur, hakmarrja nuk është mbyllur, pasi siç thuhet në kanun, gjaku lahet me gjak dhe për këtë shkak familja Përlala duket se ka marrë hakun duke ekzekutuar Nik Tucin. Sipas të dhënave, për Krishtlindjet e 2007-s, David Përlala, 33 vjeç, është qëlluar për vdekje në lagjen e re të këtij qyteti teksa ka qenë në prani të vëllait të tij. Nga persona të ndodhur në momentin e vrasjes, i riu është dërguar menjëherë në spitalin e Rrëshenit, por, sipas mjekëve, ai ka dhënë shpirt rrugës duke mos pasur mundësi që të merrte ndihmën e parë nga bluzat e bardha. Pak minuta pas ngjarjes, uniformat blu kanë bërë të mundur edhe identifikimin e autorit të kësaj ngjarjeje, i cili ishte Fatmir Tuci, por që vdiq pak javë më parë. Sipas burimeve të policisë, ngjarja e parë ndodhi për motive banale, pas një zënke që ka pasur mes dy të rinjve. Ble. Gi.