Ngjarja një muaj pas atentatit me eksploziv ndaj zv/drejtorit të fabrikës, palestinezit Anwar Rizik


Sërish tritol në fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë. Shpërthimi i fuqishëm është dëgjuar pak para mesnatës së djeshme, në linjën hekurudhore në hyrje të fabrikës. Burime nga policia e Durrësit, bëjnë me dije se shpërthimi është regjistruar rreth orës 23:30 minuta të mbrëmjes, ndërsa sasia e lëndës eksplozive është vendosur në linjën që lidh Fabrikën e Çimentos me linjën hekurudhore kombëtare. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz nga shpërthimi, ndërsa raportohen për dëme të mëdha materiale. Policia ka nisur hetimet për të zbuluar autorët e ngjarjes që ka tronditur qytezën e Fushë-Krujës. Deri më tani janë shoqëruar rreth 20 persona, të cilët dyshohet e kanë dijeni për ngjarjen, por nuk ka asnjë të ndaluar.


Konfliktet


Shpërthimi i djeshëm vjen një muaj pas vrasjes së zv/drejtorit të fabrikës, palestinezit Anwar Rizikut. Ai mbeti i vrarë në një atentat me eksploziv në derën e banesës së tij, vetëm pak metra larg Ambasadës Amerikane në Tiranë. Policia është ende duke hetuar për gjetjen e autorëve të ngjarjes dhe nuk ka asnjë të ndaluar, ndonëse janë hedhur akuza për banorët e fshatit Zallë. Fabrika e Çimentos në Fushë-Krujë prej vitesh është shndërruar në një mollë sherri mes banorëve të zonës dhe pronarëve të saj. Rreth njëmbëdhjetë vjet më parë, fabrika u mor në administrim nga libanezët, gjë që shënoi dhe nisjen e përplasjeve me banorët e fshatit Zallë, në tokën e të cilëve është e ndërtuar fabrika 50- vjeçare. Pas ndryshimit të sistemit politik, fabrika u privatizua nga Aleks Bouri, babai i pronarit aktual Charls Bouri. “Paqa” mes Aleks Baurit dhe burrave të fshatit nuk zgjati shumë. Banorët u ankuan për numrin e vogël të vendeve të punës që iu dhanë në fabrikë. Në dhjetor të vitit 2000, banorë të irrituar organizuan një atentat paralajmërues, pa pasoja për kryeministrin e atëhershëm Ilir Meta, i cili po shkonte në fabrikë për një vizitë pune. Ngjarja do t’i paraprinte situatave të tjera kriminale. Dy vjet e gjysmë më parë një adoleshent nga fshati Zallë, Avdyl Zalla u vra nga roja e fabrikës, ndërsa po tentonte të hynte në objekt. Menjëherë pas vrasjes, banorët u irrituan më shumë, po prania e forcave të shumta policore në fshat dhe rreth fabrikës e mbajti gjithçka nën kontroll.


10 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)