Ngjarja në një banesë studentore. Policia është vënë në kërkim të vrasësit


Një tjetër masakër në shkollat amerikane. Mbrëmjen e djeshme, të paktën tre studentë kanë mbetur të vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri në kompleksin rezidencial të Universitetit Heights, në Alabama. Policia ende nuk ka dhënë një variant zyrtar të ngjarjes dhe nuk ka konfirmuar numrin e viktimave, por sipas mediave lokale të paktën tre të rinj kanë mbetur të vdekur, ndërkohë që dy të tjerë janë në gjendje të rëndë për jetën. Të rinjtë janë ish-futbollist të ekipit “Auburn Tigers” dhe ngjarja ka ndodhur gjatë një party në pishinë.


Shkëmbimi i zjarrit ka ndodhur rreth orës 23:00 (ora lokale)dhe në të janë përfshirë një grup prej 6-7 studentësh, të cilët mendohet të jenë grindur gjatë festës.


Njëri prej viktimave, Ed Christian, ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që LaDarius Phillips ka ndërruar jetë, sapo kanë mbërritur autoambulancat. Ndërsa Erick Mack ka gjetur vdekjen në spital. Pranverën e këtij viti, Christian e Phillips, kishin lënë skuadrën për probleme shëndetësore. Viktimat ishin në vitin e dytë të universitetit. Ndërkohë policia po punon për identifikimin e autorit të ngjarjes dhe kapjen e tij.


10 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)