ARBEN MANAJ
Tashmë koalicioni “i ndërroi sërish nishanet”, dhe Shqipëria siç e parasheh Kushtetuta ka një president të ri. Në fund të fundit, më mirë, një president si ky, sesa një president “të kapur”, siç u zbulua në kohë. Edhe pse s’jam i bindur për “moszbulimin” e tij nga ata që e propozuan dhe donin ta përdornin.
Ka shumë të pakënaqur dhe të kënaqur nga kjo përzgjedhje, dhe kjo ka arsye respektive.
Berisha dhe të tijtë, panë mikrointeresat e tyre politike dhe personale, jo ato makro të Shqipërisë, pa pyetur, madje as partnerët ndërkombëtarë në këtë harakiri politik.
Ose edhe mund t’i keni pyetur dhe të kenë marrë bekimin e tyre, në mënyrë “diplomatike”, pas kuintave, edhe pse ata nuk shkojnë në Parlament, si në rastet e mëparshme të kontestueshme, duke i quajtur “burrë shteti”, apo edhe duke i uruar me një dolli me birra e kërnacka Korçe nga bradëusteri i OSBE-së. Por kjo do konfirmohet ose shkonfirmohet më vonë.
Berisha, mendoi për pushtetin e tij të sotëm dhe të nesërm, pasi e di se çfarëdo që të bëjë Ai në Tiranë, askush nuk do merret dhe s’ka kohë të merret me të, se kanë sëkëlldira të tjera. Plus, e di që Europa është “blu” politikisht, dhe “sterrë e zezë” ekonomikisht.
Edhe nëse Shqipëria e merr statusin e vendit kandidat, që unë besoj se do e marrë, jo se e meriton, por ngaqë ka sebep në nëntor Shqipëria, ky status nuk është se do të thotë shumë, në fund të fundit.
Disa miliona euro të padhëna për bujqësinë shqiptare, nuk do të ndryshojnë brenda ditës dhe brenda vitit jetën e ruralëve dhe as cilësinë e tyre, për shkak të pamjaftueshmërisë.
Politikisht, ky status, që Maqedonia ka vite që e ka, nuk është se i ka bërë më të lumtur në përditshmërinë e tyre, as maqedonasit, as serbët, dhe s’ka arsye që për shqiptarët të jetë ndryshe.
Ndaj Berisha dhe Meta kanë përllogaritur “me guximin e një tifozi në një stadium kur shajnë arbitrin kur polici nuk është afër t’i dëgjojë”, dhe të marrin presidentin, të marrin në kohë Prokurorin e Përgjithshëm, KQZ-në, e çfarë ka mbetur tjetër, dhe fundja pse jo në dogana edhe tabela mund të ndërrohet në “Welcome to Russia”.
Ndërkohë, opozitarët nuk duhet të ankohen fare për autogolat e tyre. Vetë i sollën gjërat në këtë derexhe, dhe sot po u shohin hajrin. Sakaq, opozitarët e thjeshtë të majtë, të mprehin thepin dhe të marrin mirë “nishan” herën tjetër, kur të votojnë, që votat e tyre të mos çojnë dhe mbajnë në pushtet “Nishanët” e djathtë, historikisht pakicë.