Sheva nuk e ndal dot skuadrën e Blank, që fitoi 2-0 me golat e Menez dhe Kabaje


Trajneri Blank është në qiellin e shtatë pas fitores ndaj Ukrainës: “Djemtë po arrijnë ta kuptojnë potencialin e tyre të vërtetë. Jam shumë i kënaqur për mënyrën se si luajtëm. Nuk ishte e lehtë që të mundje Ukrainën, siç mund të mendonin të tjerët”


Franca jep dy goditje dhe hedh “k.o.” të zotët e shtëpisë të Ukrainës, që shpresonin kalimin e turit dhe merr kreun e Grupit D. Skuadra e Blank dominon ndeshjen: në pjesën e parë peshojnë rastet e shumta të humbura (nga Menez mbi të gjithë), por shënon dy herë në pjesën e dytë. Ukraina provon të përgjigjet, mbi të gjitha me Shevçenkon, por diferenca mes dy skuadrave është e dukshme. Tani Blokhin do të duhet të luajë gjithçka në ndeshjen e fundit ndaj Anglisë. Trajneri i Ukrainës prezantoi të njëjtën 11-she që fitoi 2-1 ndaj Suedisë, me një variant taktik: Voronin luan si mesfushor përkrah Timoshuk, me Nararenkon më të avancuar në mbështetje të Shevçenkos. Por ka dy variante te Franca në krahasim me barazimin ndaj Anglisë: në të majtë të mbrojtjes është Klishi dhe jo Evra, ndërsa në mesfushë Menez merr vendin e Maluda. Ndeshja nis mes rrebeshit të shiut dhe rrufeve: në minutën e 5, pas disa daljeve të rrezikshme të dy portierëve, gjyqtari Kuipers e ndali lojën dhe çoi dy skuadrat në dhomat e zhveshjes. Sfida rinisi thuajse pas një ore. Terreni u drenazhua dhe ishte në kushte perfekte. Siç pritej, Franca ka bërë lojën. Skuadra e Blank mban topin dhe ka një skemë të qartë: zotëruesi i topit kërkon mbështetje në thellësi, zakonisht te Benzema; pastaj shkon të mbyllë trekëndëshin me shpejtësi dhe të kërkojë pasimin për një nga dy sulmuesit. Aplikimi është (thuajse) perfekt në minutën e 17: Riberi niset me shpejtësi, mbështet Benzema që ia kthen sërish, pret gjithë fushën dhe shikon depërtimin e Menez nga ana tjetër. Ky i fundit shënon, por ishte në pozicion jashtë loje. Një nga problemet e Francës është se lodhet shumë në rikuperimin e topit kur e kanë kundërshtarët. Diarra e Kabaje vrapojnë shpesh kot, sepse mungon mbështetja e tre mesfushorëve ofensivë. Në pjesën e parë, qarkullimi i topit është vetëm 55%. Edhe rastet më të mira janë të gjitha të “Bleus”. Menez gabon dy herë. Gjuan lart në të parin në minutën e 26-të, kur Riberi i vjedh topin Nazarenko. I dyti sërish asist i Riberi, por Menez gjuan në trupin e portierit Pyatov një thuajse 11-metërsh në lëvizje. Pjesa e parë e shëmtuar e Menez u kompletua me një karton në minutën e 40-të, kur Kuipers duket se e fali në atë faull të rëndë. Rasti tjetër i mirë i francezëve i takon Meksesit me kokë dhe Pyatov kundërpërgjigjet. Rasti i Ukrainës firmoset nga Shevçenko: stop dhe e djathtë e dhunshme në shtyllën e parë, për të nxehur duart e Loris. Pjesa e dytë hapet me një ndërrim të Blokhin: del Voronin, hyn Deviç. Blank i jep sërish besim irrituesit Menez. Dhe bën mirë, sepse në minutën e 53-të Xheremi gjen avantazhin. Aksioni është i zakonshmi: Riberi për Benzema, pas për Menez, që futet në të majtë dhe mposht Pyatov në shtyllën e parë. Tri minuta më vonë vjen goli i dytë: tjetër punë e shkëlqyer e Benzema, që këtë herë shikon depërtimin e Kabaje, që shënoi 2-0. Nga ai moment, ndeshja e Francës është e gjitha dishezë. Tentativat e Ukrainës duken thuajse të dëshpëruara dhe asnjëherë të rrezikshme. Përjashtimi i vetëm një e djathtë e bukur e Shevës që i shkon pranë portës. Francezët tronditin edhe shtyllën me Kabaje. Franca tregon se është rikthyer, ndërsa pengesa e fundit përpara çerekfinales është Suedia e Ibrës.


 


 


 


Ukrainë-Francë 0-2


 


UKRAINA (4-2-3-1)


Andri Pyatov; Oleg Gusev, Taras Mikhalik, Yevhen Khaçeridi, Yevhen Selin; Anatoli Timoshuk, Sergei Nazarenko (Artem Milevski 60′); Andri Yarmolenko (Oleksandr Aliyev 68′), Andrei Voronin (Marko Deviç 46′), Yevheni Konoplianka; Andriy Shevçenko


Tr.: Oleg Blokhin


 


FRANCA (4-1-2-3)


Hugo Loris; Matjë Debushi, Adil Rami, Filip Mekses, Gael Klishi; Alou Diarra; Yohan Kabaje (Yann M´Vila 68’) Samir Nasri; Zheremi Menez (Marvin Martin 73’), Karim Benzema (Olivier Giroud 75’), Frank Riberi


Tr.: Laurent Blank


 


Gjyqtar: Bjorn Kuipers (Holandë)


Shënues: Menez 53′, Kabaje 56’


Kartona të verdhë: Selin 55′, Timoshuk 84’ / Menez 40′, Debushi 79′, Mekses 81