Profesori i studimeve historike sjell veprën e rëndësishme për 100-vjetorin
Irena Toçi
Arben Puto, historiani i shquar shqiptar, ka vendosur t’i bëjë Shqipërisë një dhuratë të vyer në këtë 100-vjetor të shpalljes së Pavarësisë. Libri që do të botohet këto ditë nga shtëpia botuese “Toena” titullohet “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha, 1912-1914”. Puto, i njohur si ekspert në çështjet e diplomacisë, sjell para nesh një gjykim objektiv të kësaj periudhe historike, të bazuar në një sërë dokumentesh të rëndësishme. Studimi i rëndësishëm është fryt i një pune shumëvjeçare, që zuri fill në të hershmet vite 1960. Asokohe, Puto pati hedhur hapat e parë në fushën e studimeve historike, por përpjekjet nuk shkuan kot dhe nuk qenë pa fryte. Shumë syresh, qenë prezantuar në artikuj të ndryshëm që dolën në më të shumtën e herëve në shtypin e kohës. Punimet e profesor Putos, para shumë e shumë viteve, dedikuar pjesëve të veçanta e ngjarjeve të tilla, të historisë së vendit tonë, nuk qenë në fakt, hapa që zhdukeshin. Ato punime të hershme qenë gurët e themelit, prej nga ku do të niseshin punë kërkimore-shkencore të mirëfillta.
Shtylla më e rëndësishme e shqyrtimit është aspekti diplomatik i çështjes shqiptare në zhvillimin e vet në etapën “klasike” të imperializmit, në fund të shekullit XIX – fillim i shekullit XX.
Kuptohet se shtysa kryesore që e ka bërë profesorin të merret seriozisht me këtë fushë, duket të ketë qenë mendimi i vyer se përpunimi i historisë diplomatike ka një rëndësi të veçantë për ne. Lëvizja Kombëtare Shqiptare prezantohet në një përmasë tjetër përmes historisë diplomatike, sepse shihet nga konteksti i gadishullit pjesë e të cilit jemi ne, e madje edhe në kontekstin kontinental. Si e tillë, historia diplomatike bëhet edhe më tërheqëse dhe më interesante për historianin e rrjedhimisht edhe popullin të cilit ai i përket, pa lënë pas dore rëndësinë historike.
“Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha, 1912 – 1914”, që pritet të jetë para lexuesit këto ditë, është ndërtuar duke marrë në konsideratë një numër të madh burimesh. Puto ka kaluar nëpër duar dokumente pa fund nga arkiva të ndryshme. Sigurisht në fokus kanë qenë arkivat e Fuqive të Mëdha të kohës, arkivat e Romës, Parisit, Vjenës dhe Londrës, por pa lënë pas dore ato shqiptare, ku mësohet se një ndihmë të madhe profesorit i ka dhënë Universiteti i Tiranës. Po pse është ndalur historiani i shquar në periudhën e Pavarësisë? Ai sigurisht që ka marrë në konsideratë edhe vitin në të cilin jemi, pra 100-vjetorin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme, por nga ana tjetër, profesori e sheh vitin 1912 dhe periudhën 1912-1914 si kohën kur u bë një ndër kthesat më të mëdha të historisë sonë kombëtare. Kjo periudhë shënon çastin historik kur i jepet “hapësirë” trajtimit të çështjes shqiptare me të gjitha problemet që ka shtruar. Ai ka treguar kujdes që t’i drejtohet një rrethi sa më të gjerë të lexuesve të interesuar në çështjet e historisë. Ky është botimi i dytë i librit që e sheh dritën pas një periudhe të gjatë historike, nëse kemi parasysh që botimi i parë i përket vitit të largët 1978, çka ka bërë që të dalë nevoja e një rishikimi, për shkak se në vitin 1978, Puto ka punuar në kushtet e kufizimit të lirisë së krijimtarisë dhe ka pasur një ndërhyrje të vrazhdë të politikës në fushën e historisë me interpretime dhe versione të imponuara nga lart, ai ka vendosur të shkruajë sot, edhe pse me shumë vite mbi supe, për t’u treguar objektiv dhe për të thënë drejt atë që historia kërkon.
Ai vjen në një botim në liri, duke marrë një e nga një parasysh burimet historike. Në libër trajtohen çaste me rëndësi të Pavarësisë së Shqipërisë, siç janë Konferenca e Ambasadorëve, statusi i Shqipërisë, kufijtë, Qeveria e Vlorës dhe Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit. Profesori është treguar i drejtpërdrejtë dhe objektiv, duke nxjerrë në pah edhe dy mëkate kolosale të Fuqive të Mëdha: E para sojesh është padyshim, padrejtësia e copëtimit të trevave shqiptare të shkëputura nga trungu kombëtar dhe e dyta, por jo për nga rëndësia, ka të bëjë me rrëzimin e qeverisë kombëtare dhe imponimin e një pushteti të huaj, pa themel, që u shkërmoq së brendshmi dhe ra me fillimin e Luftës së I.
Arben Puto është një prej historianëve më të njohur shqiptarë. Në vitet e punës së vet në fushën e studimeve, ai ka shkruar disa libra, ndër të cilët përmendim “Çështja Shqiptare në aktet ndërkombëtare pas Luftës së I Botërore“, “E Drejta Ndërkombëtare Publike Libër Universitar”, “Historia diplomatike e çështjes shqiptare 1878-1926“, “Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut në përqasje me Kushtetutën e Shqipërisë“, “Nëpër analet e diplomacisë angleze“, “Shqipëria Politike 1912-1939” dhe “Lufta italo-greke, diktatorë e kuislingë“. Artikujt e botuar në mediat shqiptare për çështje e data të caktuara janë pa fund. Por, veç kësaj, Puto është treguar i ndjeshëm edhe ndaj temave të ndryshme e debateve të nxituara nga vendime të ndryshme në dëm të Shqipërisë. Vitin e kaluar, kur e gjithë Shqipëria debatonte për regjistrimin e popullsisë, profesor Arben Puto, një nga historianët dhe specialistët e shquar të së drejtës ndërkombëtare, deklaroi haptazi dhe prerë se regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike do të sillte një rritje artificiale të minoritetit grek.