Debati 


Vladimir Lame


Masivizimi i arsimit të lartë në Shqipëri ka testuar, ka vënë në provë të mirëfilltë kapacitetet intelektuale dhe prurjet e reja akademike në auditorë dhe aula studentësh në këto vitet e fundit. Vite më parë, kur zhvillohej një nga grevat e dikurshme të pedagogëve të arsimit të lartë publik, pyesja veten se si mundej buxheti i shtetit brenda 24 orëve t’i përgjigjej kërkesës ultimative të tyre për dyfishim të menjëhershëm të pagave. Në fakt, cila ishte prurja e re në cilësinë akademike që brenda një 24 orësh do të ndodhte apo ata do të sillnin në kompensim të këtij rivlerësimi të menjëhershëm financiar të kërkuar me ngulm?! Ata kishin lektoruar gjatë në të dyja sistemet e qeverisjes në Shqipëri. Përgjigjen e dha koha.


Tashmë pas gati dhjetë vitesh ka një komponent të ri në arsimin e lartë, universitetet jo publike. Ka vërtet një prurje të re akademike dhe kjo më rezulton nga individualizimi cilësor i të sapodiplomuarve në universitetet publike dhe jo publike. Ka ligjërues të rinj që e meritojnë të trajtohen për metodat bashkëkohore të lektorimit dhe që bëjnë diferencën me të shkuarën. Diploma në këto universitete private është një kut matës i njohurive, por jo gjithçka. Ashtu siç edhe në universitetet perëndimore, në tregun e punës të sapodiplomuarit vlerësohen për produktet që sjellin për sipërmarrësit apo kompanitë që i punësojnë.


Vitet e fundit kanë treguar që studentët e sapodiplomuar në këto universitete të etiketuar me probleme, po shfaqin rezultate të matshme dhe kurajoze në tregun e punës në Shqipëri dhe më gjerë. Por edhe e parë në prizmin e shkollimit, mesatarja e notave nuk tregon gjithçka. Madje diferencën e bën kontributi i prekshëm i individit në aktivitetin publik në dobi të shoqërisë. Studentët e Universitetit “Kristal” e kanë perfeksionuar në këtë mënyrë veten në raport me të tjerët që kanë qëndruar në pozita pasive. Për këtë flasin projektet dhe konferencat nëpër institucione ndërkombëtare dhe ato rajonale, ku këta studentë kanë konkurruar denjësisht jo vetëm me studentët shqiptarë, por edhe ata të huaj. Nuk mundet sot një produkt i tillë shumëdimensional me një vizë kompetenti ta ulësh dhe ta fyesh. Konsolidimi i universiteteve kërkon kohën e vet të akumulimit edhe të gabimeve gjatë rrugës. Qasja nuk mund të jetë kurrë e paplotë në sistemin e hapur të universiteteve.


Rasti i individualizuar i shumëpërfolur rreth një universiteti apo përfolja e tejzgjatur nuk të çon askund, madje duket e qëllimshme dhe brenda caqeve të veprës penale të shpifjes. Sepse nuk mundet të nxish në mënyrë kolektive mundin dhe përpjekjet nëpër auditorë të të gjithë studentëve dhe të të gjithë pedagogëve. Sigurisht duhet të punojmë që të unifikohen praktika më të rrepta vlerësimi. Më është dukur shumë me vend testimi shtetëror profesional në fushën e mjekësisë për studentët e diplomuar në stomatologji, infermieri dhe farmaci. Një filtër i domosdoshëm që bën diferencën më tej. Rezultatet kanë demonstruar ndryshe nga propaganda keqdashëse se në universitetet private nën shënjestër janë verifikuar në testimin shtetëror studentë edhe më cilësorë. Njohuritë akademike të marra në studimet e larta i nxjerr në pah përballja dhe jo përbaltja. Kjo edhe kur është e nxitur me qëllim dominimin e arsimit jo publik universitar dhe mënjanimin në mënyrë të paskrupullt të konkurrencës së lirë. Shifrat e të regjistruarve tregojnë edhe vlerësim për atë që duket në sytë e publikut. Universiteti “Kristal” zotëron një kampus cilësor, staf akademik të njohur dhe të testuar në vite. Kemi të diplomuar që punojnë në sektorin privat dhe shtetëror, duke dhënë kontribute të prekshme. Studentët e dalë nga auditorët e Universitetit “Kristal” janë të suksesshëm në administrim biznesi, në drejtim të strukturave të vendimmarrjes qendrore dhe lokale, në mjekësi, si dhe në hapësirat e tjera konkurruese të tregut të punës.


Po ashtu, nuk kemi një media puritane. Kemi analistë të vetëpromovuar në qarqe të shkurtra që vijojnë të bëjnë kompetentin keqdashës, herë me emër e herë pa emër, për çdo gjë, përfshirë arsimin e lartë. Njerëz që qartësisht të pozicionuar, tentojnë të manipulojnë publikun dhe të japin verdikte përfundimtare për këdo. Rasti i përfoljes së një profili të vetëm studimi në Universitetin “Kristal” apo dhe në profile të tjera në universitetet homologe shqiptare nuk mund të shihet bardhë e zi. Si mund të etiketohen, frustrohen apo miklohen mijëra studentë që të braktisin universitetin e tyre?! Si mund të shantazhohen me muaj të tërë nëpër gazeta pedagogët dhe stafet akademike nëpërmjet fletërrufeve që lëshojnë apo sponsorizojnë të tjerët në tregun e universiteteve private?! Regjistrimi, vijimi i studimeve është një rrugë që e zgjedh studenti jo nën presion, me vetëdije të plotë për atë që janë rezultatet e tij të pritshme dhe të testueshme.


Është koha për verifikime të imtësishme kurajoze në të gjithë sistemin e universiteteve publike dhe jo publike. Në faqet e një gazete të përditshme, këto ditë vere, po renditen citime nga ekspertë anonimë, nga profesoresha anonime, me fjali dhe fraza anonime. A do të ishte mirë, që së paku këta ekspertë, nëse ekzistojnë, të shfaqeshin publikisht me emër dhe mbiemër dhe të na sillnin shembuj të tjerë për të mos mbetur peng i një rasti të supozuar dhe të bërë tashmë bajat. Ndoshta duhet të bëjmë atë që nuk kemi mundur ta bëjmë këto njëzet vitet e fundit. Drejtësinë ta presim të bëjë punën e saj dhe mos të vijojmë të hedhim baltë pa ditur mirë se çfarë ka ndodhur dhe pa u përcaktuar më parë përgjegjësitë konkrete individuale. Nuk duhen harruar këtu edhe gabimet njerëzore të burokracisë së shkresave.


Arsimi i lartë jopublik shqiptar është ende në fazën e rritjes, ndaj ka mundësi të rikuperojë dhe të shërohet në ato pjesë të izoluara ku janë konstatuar vërtet problematika të ndreqshme. Nuk mundet një media e lirë dhe e pavarur të stimulojë si shërbëtore e konkurrencës së pandershme, mënjanimin e një pjese të institucioneve akademike jo publike kur ato reflektojnë siguri dhe dëshirojnë të ecin përpara.