Kreu i PSD-së i konsideron deklaratat e Nanos si çështje të brendshme të PS-së


Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, shprehet se opozita, pas zgjedhjes së presidentit të ri brenda PD-së, nuk duhet t’i besojë më kreut të LSI-së, Ilir Meta. Gjinushi në një prononcim për mediat, bëri të ditur se Meta bëri pazarin e radhës me aleatin kryesor, PD-në. “LSI përdori opozitën për të bërë presion mbi Berishën, jo për të arritur konsensus, por për të arritur në një pazar. I vetmi besim që mund të kesh te LSI është që është e pabesë. Nëse ka ende të majtë që i mbanin shpresat tek ai, tek ajo forcë që i ka shitur sistematikisht nga 2005, sigurisht që kjo është vetëm një alibi për LSI”, tha Gjinushi. Kreu i PSD ka komentuar edhe debatet në lidhje me moskandidimin e Nanos, si dhe paralajmërimin e liderit historik të PS-së për një lëvizje të re, me synim largimin e Edi Ramës nga drejtimi i partisë më të madhe të opozitës. Kjo lëvizje, sipas tij, ka nevojë reale për një bashkues të së majtës. “Tani, patjetër që ka nevojë për një bashkim të forcave që janë jashtë PS-je, të majta. Sepse PS, nën presione të brendshme apo të jashtme, nuk ka luajtur siç duhet rolin e vet opozitar. Patjetër që PSD është në favor të kësaj. Pastaj, për zhvillimet brenda PS mendoj që këto që thoni janë zhvillime brenda PS, janë tentativa për ekuilibra të brendshme, për rregullime raportesh të brendshme ky është një problem i PS-së”, thekson Gjinushi. Kreu i PSD-së, gjithsesi e cilëson si një lëvizje të brendshme të PS-së, nismën e Nanos.


“Unë nuk shtoj se çfarë thashë, uroj të ketë ndikime pozitive. Pra, PS si parti në përcaktimin e aleatëve të vërtetë dhe jo në aleanca pazaresh si Gjiri i Lalzit”, tha ai, duke quajtur si të nevojshme shkundjen e PS-së.


 


Socialisti


Braçe: Tani koha për opozitë të fortë


Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, mendon se strategjia e re, pas zgjedhjes së presidentit në mënyrë të njëanshme, duhet të jetë ajo e një opozite të fortë. Duke komentuar skandalet e ndryshme të publikuara nga mediat ndaj këshilltarëve dhe familjarëve të drejtuesve të qeverisë. “Këta duhen përmbysur!


Nëse opozita rri mendueshëm dhe angazhohet për pushtet brenda saj, ndryshimi i vetëm që do të ndodhë në këtë vend, do të jetë ky i kalimit të pasurisë nga një hajdut në tjetrin, të gjithë në pushtet! Tani është koha për opozitarizëm! Tani është koha për veprim të fortë dhe kundër korrupsionit! Tani është koha për shpresë të re, për frymëzim, të ardhme të drejtë e të ndershme!”, shkruan Braçe në rrjetin social “Facebook”. Socialisti komenton dhe masakrën e re të Bashkisë së Tiranës në Parkun Kombëtar. “Pemët në Parkun unik të Tiranës po priten për rrugën me 6 vija kalimi që të çon në qendrën tregtare! Tani! Në periudhën kur shumë pak njerëz shkojnë andej, për shkak të parasë së munguar por edhe se shpenzimi shkon drejt detit! Por njëherësh edhe për një dyzinë fshatrash të pasunarëve të rinj të Tiranës! Janë të gjithë aty, gjykatës, prokurorë, ministra, deputetë, fëmijë të tyre, biznesmenë, gangsterë, bankierë! (sikur Agjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave të nisë të hetojë m’u aty, një herë të vetme). Këta po përcaktojnë projektet dhe orientojnë zhvillimin drejt pasurisë së tyre! Me çdo kosto! Edhe me paratë që paguajmë ne përmes taksave që na venë! Ndaj ky vend po zhytet deri në fund në varfëri!”, shkruan Braçe.