Nishani: Kryeprokurori i ri do të dalë vetëm mes konsultave të gjëra PS-PD
Presidenti i ri, Bujar Nishani, garanton opozitën se çdo veprim për ndryshim të drejtuesve të lartë të institucioneve si në Prokurorinë e Përgjithshme do ta ndërmarrë mes konsultimeve me socialistët. Veç mazhorancës, Nishani deklaron se do nuk të lërë pas dore edhe opozitën në këtë vendimmarrje. Presidenti i ri deklaron se emri i pasuesit do të vijë si rezultat i diskutimeve të gjera me PD dhe PS, por dhe me komunitetin e prokurorëve. Të tilla, garanton Nishani, do të jenë të gjitha emërimet e tij në sistemin e drejtësisë. “Ju garantoj që çdo akt do të udhëhiqet, në radhë të parë, nga obligimet kushtetuese dhe së dyti, në interesat më të mira të vendit. Presidenti i Republikës ka një mundësi shumë të madhe për të ofruar një kontribut konkret të prekshëm për qytetarët shqiptarë, për sa i takon sistemit të drejtësisë. Flas dhe për prokurorinë dhe për sistemin gjyqësor. Natyrisht kjo do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë, në radhë të parë, me komunitetin e gjyqtarëve, të prokurorëve, po pazgjidhshmërisht edhe me Parlamentin”, deklaroi për “AS TV”, Nishani. Dy ditë më parë, opozita ngriti dyshimet se mazhoranca ka në dorë skenarin për të shkarkuar Kryeprokuroren Ina Rama, duke përdorur kartën e komisionit të posaçëm hetimor për ngjarjet e 21 janarit 2011. Një aludim i tillë u bë nga socialisti Taulant Balla. Ndërsa për sa i përket çështjes tjetër të nxehtë të kreut të SHISH, i sapozgjedhuri ka qëndrimin e tij pro konsultues me opozitën. “Nuk është kompetencë e Presidentit të Republikës të iniciojë dhe të ndërmarrë shkarkimin e SHISH. Së dyti, unë nuk kam konstatuar ndonjë kontradiktë mes mazhorancës, por çdo akt i ndërmarrë do të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe me frymën që përcakton Kushtetuta. Çështja e konsultimeve, bashkërendimit është krejt normale, e cila vetëm do ta ndihmojë, do ta përshpejtojë në mënyrën më të mirë të mundshme ndërmarrjen e çdo reforme dhe arritjen e rezultatit për të cilën ndërmerren këto reforma”, theksoi Nishani. Prej më tepër se një jave i zgjedhur nga Kuvendi si Presidenti i ri i Republikës, Nishani, shprehet se nuk ka marrë ende urimin e liderit të opozitës.
Urimet
Presidenti i ri mori urimet nga homologët e Turqisë, Kinës dhe Maqedonisë