Vizita 


Liderja burmeze demokrate, Aung San Suu Kyi, deklaroi se marrja e çmimit “Nobel” për të në vitin 1991 e bëri që të ndihej “e vërtetë sërish” dhe i dha sigurinë që vuajtja e vendit të saj nuk do të harrohej. Ndërsa ndodhet në kryeqytetin norvegjez, Oslo, ajo tha se ndihma e Perëndimit kishte kontribuuar në ndryshimet në Burma. Liderja burmeze ka qëndruar pjesën më të madhe të 24 viteve të fundit në arrest shtëpie në Burma dhe u lirua vetëm pas përpjekjeve dhe presioneve të shumta që iu bënë ushtarakëve në pushtet, në vitin 2010. Në vitin kur iu dha çmimi, ajo nuk u lejua që të shkonte e ta merrte atë dhe e bëri vetëm tani pas më se dy dhjetëvjeçarësh. Ajo e vizitoi Oslon si pjesë e një turneu europian, e para vizitë e gjatë që po ndërmerr jashtë vendit që kur është liruar nga arresti i gjatë shtëpiak. Është në fakt vizita e saj e parë në Europë që nga viti 1988, e cila filloi në Gjenevë të Zvicrës në zyrat qendrore të Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Në Norvegji e pritën me shumë dashuri dhe ishin të lumtur që më në fund pas 20 vitesh po i akordonin çmimin e munguar kësaj gruaje, që me kurajën dhe rezistencën e saj bëri shumë për ndryshimin në vendin e saj, por edhe në ndryshimin e një mendësie ndërkombëtarisht.


Ajo vetë, në ceremoninë e organizuar me këtë rast, tha se ky çmim do ta nxiste edhe më shumë në punën e saj dhe përpjekjet për liri. Liderja burmeze është vajza e një tjetër lideri të vendit të saj, i cili u vra pikërisht për bindjet e tij në vitin 1947. Ajo u shndërrua në lideren e lëvizjes burmeze pro demokraci, pasi kishte jetuar jashtë vendit për shumë vite. Fillimisht u kthye në vendin e saj në vitin 1988 për t’u kujdesur për nënën e saj dhe nuk mundi që ta lërë më vendin për shumë e shumë vite, madje as në rastin kur i shoqi i sëmurë vdiq në Londër.