Kompania kanadeze fajësohet për fenomenin natyror. Derdhen 1000 tonë naftë bruto
Edmond Hoxhaj
Qyteti i Fierit, Patosit, Roskovecit dhe zonat përreth janë përballur gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm me tri lëkundje të forta sizmike. Këto lëkundje kanë tmerruar banorët e këtyre zonave, sidomos ata të fshatit të Zharrëzës, të cilët kanë dalë nga banesat e tyre rreth orës 04:00, kohë në të cilën kanë ndodhur lëkundjet.
Të trembur dhe të irrituar ata e kanë lidhur fenomenin e lëkundjeve të tokës me shpërthimet e shkaktuara në thellësi të tokës në puse të ndryshme nafte, të kryera gjatë procesit të punës nga ana e kompanisë naftënxjerrëse “Bankers Petroleum”. Dhjetëra banorë të këtij fshati, pasi kanë dalë nga shtëpitë e tyre, janë grumbulluar në rrugën nacionale Fier-Berat, duke protestuar. Pasi ata kanë pritur për disa orë që aty të mbërrijnë drejtues të kompanisë naftënxjerrëse të sipërcituar për të dhënë shpjegime lidhur me lëkundjet, kanë sulmuar depozitat e dekantimit të naftës, të cilat ndodhen në anë të kësaj rruge. Ata kanë hapur rubinetet e 12 depozitave me kapacitet 30 metër kub secila. Si pasojë është derdhur një sasi nafte që përllogaritet të jetë në rreth një mijë tonë.
Veç dëmit ekonomik që i është shkaktuar kompanisë, kjo naftë ka krijuar edhe një ndotje të madhe në tokat bujqësore përreth. Madje, edhe vetë protestuesit kanë shfaqur dobësi fizike për shkak të gazrave toksikë të çliruar në ajër pas derdhjes së naftës bruto. Banorët e irrituar kanë tentuar edhe t’i vënë zjarrin kësaj sasie nafte, por ky akt është parandaluar pas ndërhyrjes në kohë të rreth 100 forcave policore, duke përfshirë edhe efektivë të ndërhyrjes së shpejtë.
Këta të fundit rrethuan zonën ku ndodhi ngjarja duke moslejuar që protestuesit të shkaktonin dëme të tjera. Në gatishmëri kanë qenë edhe mjetet zjarrfikëse. Po kështu, të pranishëm në vendngjarje kanë qenë dhe përfaqësues të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, të cilët kanë nisur hetimet për ngjarjen e ndodhur. Pas negociatave me banorët është arritur të lirohet rruga nacionale Fier-Berat që mbeti e bllokuar për rreth një orë e gjysmë, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve në këtë aks. Më pas banorët janë larguar nga depozitat e naftës drejt banesave të tyre. Ata deklaruan se kjo gjendje ka shumë muaj që përsëritet dhe gjithçka sipas tyre lidhet me shpërthimet në nëntokë që kryen kompania e naftës “Bankers Petroleum”.
“Menduam se vdiqëm. Lëkundjet ishin shumë të forta. Mund të themi pesë ballë. Dolëm nga shtëpia të trembur dhe pas lëkundjes së parë ndodhën edhe dy lëkundje të tjera. Jemi të bindur se ato ndodhin nga shpërthimet në thellësi që kryen kompania e naftës. Ne jemi ankuar edhe më parë për shpërthimet dhe tani vetëm sa ka ndryshuar orari. Ka ndodhur disa herë kohët e fundit që lëkundjet ndodhin vetëm rreth orës 04:00 të mëngjesit”, tha njëri nga banorët. Ndërsa lidhur me derdhjen e sasisë së naftës nga depozitat, disa prej protestuesve thanë se policia duhet t’i gjejë autorët. Ata shtuan se kërkojnë ndalimin e shpërthimeve në këtë zonë, pasi po u rrezikohet jeta dhe u janë dëmtuar shtëpitë.
Ndërkaq, kryetari i Komunës Zharrëz, Taulant Grëmi, u shpreh për mediat se në orët e para të mëngjesit janë ndierë tri lëkundje të fuqishme. Por, ai ka shtuar se nuk mund të përcaktojë nëse këto janë shpërthime që kryhen nga kompanitë e naftës, apo lëkundje tërmeti. “Janë ndier tri lëkundje toke të fuqishme. Unë nuk jam ekspert i fushës së sizmologjisë. Ajo që duhet të them është se banorët janë të irrituar dhe se kërkojnë zbulimin e shkaqeve dhe fenomeneve të tilla”, pohoi Grëmi.
Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Kompanisë “Bankers Petroleum”, Leonidha Çobo, i kontaktuar me telefon ka deklaruar se, sipas tij, lëkundjet kanë qenë tre tërmete dhe nuk janë shkaktuar nga shpërthime të kryera prej kompanisë. Ai shtoi se një fakt i tillë mund të konfirmohet lehtë në faqen zyrtare të Institutit të Sizmologjisë. Më tej Çobo pohoi se kompania po punon për sistemimin e masakrës mjedisore që u shkaktua nga derdhja e naftës bruto. Në vendngjarje ka qenë të pranishëm edhe deputeti i PS-së, Armando Subashi, i cili ka mbështetur kërkesat e banorëve. Ai pohoi para mediave se “çizmja e pushtetit nuk mund të vazhdojë të shtyp dhe të qëndrojë mbi kokat e banorëve të zonës të cilët po vuajnë pasojat e korrupsionit qeveritar”. “Jam në mbështetje të banorëve të cilët prej muajsh qëndrojnë nën tmerrin e lëkundjeve të tokës. Ata thonë se janë shpërthimet ato që shkaktojnë çarjen e banesave dhe rrezikojnë jetën e tyre”, tha Subashi. Ndërkaq, rreth mesditës së djeshme, policia shoqëroi disa persona në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, me qëllim gjetjen e autorit të derdhjes së cisternave.
Tërmetet
Lëkundjet e tokës në Rrethin e Fierit janë pasqyruar në faqen zyrtare të Institutit të Gjeofizikës (www.geo.edu.al). Aty shpjegohet se lëkundjet me forcë 3.4 ballë të shkallës Rihter kanë ndodhur në thellësitë 12 dhe 13 kilometër.
Llogaritja
Kompania: Dëmi, 1 milionë dollarë
Drejtori i Përgjithshëm i “Bankers Petroleum” deklaroi për gazetën “Shqip” se dëmi që i është shkaktuar kompanisë nga derdhja e depozitave të naftës llogaritet në rreth 1 milion dollarë. Ai sqaroi se vetëm vlera e naftës së derdhur nga fshatarët e Komunës Zharrëz llogaritet në mbi 300 mijë dollarë, ndërkohë që rreth 100 mijë dollarë kushton operacioni i pastrimit dhe të paktën 100 mijë dollarë të tjerë mendohet të kushtojë riparimi i një pompe, e cila ka dalë jashtë funksionit. Ky është vetëm dëmi direkt, ndërkohë që drejtori Çobo sqaron se do të duhet rreth një javë për të rivënë në punë pesë puset e naftës, që prodhojnë së bashku rreth 100 tonë naftë në ditë. Duke llogaritur këtë mungesë prodhimi, si dhe koston e rivënies në punë të puseve, Çobo thotë se dëmi mund të shkojë në rreth gjysmë milioni dollarë, duke e çuar në total rreth 1 milionë dollarë faturën e dëmit të shkaktuar nga fshatarët e Komunës Zharrëz. “Nga këto para, rreth 200 mijë dollarë do t’i kalonin buxhetit të shtetit dhe kompanisë shtetërore ‘Albpetrol’”, thotë drejtori i kompanisë kanadeze “Banker Petroleum”, i cili nuk ngurron ta quajë akt terrorist sabotimin që ndodhi mëngjesin e së dielës.