Auditimi është kryer për periudhën 2008-2011. Konstatohen shkelje në lejet e legalizimeve


Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkelje flagrante gjatë auditimit të ALUIZNI-t të Vlorës dhe ka depozituar dy kallëzime penale në organin e akuzës për ish-krerët lokalë të këtij institucioni. Sipas raportit të hartuar nga KLSH, ndër drejtimet kryesore të auditimit ka qenë zbatimi i procedurave ligjore në legalizimin e ndërtimeve informale.


Raporti i plotë i KLSH-së është si më poshtë:


“Auditimi është kryer për periudhën 2008-2011 dhe nga 841 dosje të pajisura me leje në këtë periudhë, u kontrolluan 76, ose më pak se 10 për qind e tyre. Nga këto, 70 ose mbi 90 për qind kanë dalë me probleme. Grupi i auditimit mbi këto dosje konstatoi shkeljet e rënda si me poshtë:


a. Për periudhën objekt auditimi, në kundërshtim me nenin 2, pika 4, pikën 5, nenet 17, 27,29 dhe 30 të  Ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar, dhe VKM nr. 438, datë 28.06.2006 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim, që legalizohen ose jo”, si dhe VKM nr. 411, datë 19.5.2010, janë miratuar leje legalizimi:


– në monument kulture,


– në studim urbanistik dhe në rrugë


– mbi kolektor,


– në studim urbanistik, në zona të gjelbra dhe në rrugë,


– në studim urbanistik 6-8-10 kat (nga të cilat 4 raste edhe me pronar).


– është legalizuar ndërtim i vjetër,


– në rrugë kombëtare,


b. Për periudhën objekt auditimi, nga 120 dosje të përfunduar e të dërguara nga Drejtoria Rajonale në Drejtorinë Qendrore të  ALUIZNI-t, për t’u pajisur me Leje Legalizimi u audituan 48 prej tyre dhe u konstatua se:


– në 17 raste për 3,159.6 m2 e ka ndarë parcelën ndërtimore, e cila duhet shitur me vlerën e tregut, ndarje kjo në kundërshtim me ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” nenet 19 dhe  20, duke i shkaktuar si rrjedhojë një dëm Buxhetit të Shtetit për fondin e kompensimit në shumën 35,316,286 lekë.


-në 10 raste, në shumën 429,455 lekë në është paguar më pak Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë, çka përbën dëm ekonomik.


– në 1 rast, objekti nuk ndodhet në ortofoton dixhitale të datës 17.04.2007, por është vazhduar procedura e legalizimit duke vepruar në kundërshtim  me Ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”;, thuhet në raportin e KLSH-së.


Për përmirësimin e gjendjes, KLSH ka rekomanduar një sërë masash, si:   shpërblimin e dëmit të shkaktuar në 29 raste, në shumën 35,558,101  lekë, kërkesën për shfuqizim të lejeve të legalizimit të dhëna në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, korrigjimin e kontratave për kalimin e pronësisë së truallit në kundërshtim me VKM përkatëse,  plotësimin e dokumentacionit ligjor të konstatuar me mangësi nga auditimi dhe në vazhdimësi.


Për sa i përket masave disiplinore, KLSH mbështetur në “Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë” i ka rekomanduar ALUIZNI-t qarku Vlorë  fillimin e procedurave ligjore për dhënien e masës disiplinore:  “Zgjidhje e kontratës së  punësimit” dhe “Vërejtje me paralajmërim për Zgjidhjen e kontratës së punës” për 4 persona, ndërkohë që për 12 të tjerë kjo masë konsiderohet e ezauruar, pse tashmë janë larguar nga puna.


Për shkelje, të meta e mangësi në zbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje; në mënyrën dhe afatin e kualifikimit të dokumentacionit të dosjes së legalizimit të objektit informal; në shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për objektet informale dhe në përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit  për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale, shkelje këto të ish-Drejtorit dhe të ish-Përgjegjësit të Sektorit, janë evidentuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar në Nenin 248 të Kodit Penal dhe për këtë KLSH ka depozituar dy kallëzime penale në organin e Prokurorisë të rrethit Vlorë”.


25 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)