Zgjedhjet


Numërimi elektronik në zgjedhjet e vitit 2013 pritet që të zbatohet në të gjitha qytetet e mëdha në vend, ndërkohë që në pjesën tjetër të vendit do të jenë në fuqi grupet e numërimit të votave. Opozita pritet që të nisë fazën e dytë të presionit për të arritur këtë objektiv, pas çështjes së riformatimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili është edhe “thembra e Akilit”. Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës, Damian Gjiknuri, deklaroi dje për “Top Channel”, se “kemi pasur dy paketa shumë të rëndësishme për identifikimin elektronik dhe numërimin elektronik. Të dyja do të qëndrojnë dhe i kemi miratuar me konsensus. I gjithë problemi është se sa do t’i shtrijmë. Po shohim mundësinë e shtrirjes së tyre në qendrat e mëdha.


Ndahemi te problemi i KQZ-së dhe roli i tij për procesin hetimor. Jemi të gatshëm për kompromis edhe për formulën e emërimit të KQZ-së dhe jemi të vendosur për të garantuar të drejtën e dy anëtarëve që të kenë mundësinë e aksesit në dokumentacion dhe kjo është pika kyçe. Komisioni do të ketë edhe tri javë të tjera kohë për të arritur një kompromis të plotë për të tëra pikat e mbetura pezull. Aktualisht ngërçi qëndron, sepse palët nuk lëshojnë nga pozicionet fillestare dhe bëjnë manovra për çështjet e lëvizshme. Opozita nuk e quan të mbyllur çështjen e numërimit elektronik, ndaj ka kërkuar përfundimet zyrtare të ODIHR-it. Nga ana tjetër, pritet që të ketë edhe një presion më të madh nga BE-ja ndaj mazhorancës për çështjen e riformatimit të KQZ-së.