Enkelejd Alibeaj: Kushtetuta është e qartë, nuk ka nevojë për interpretim
Mazhoranca qeverisëse ka lëshuar sot sinjalet e para se do të kërkojë zëvendësimin e kryeprokurores Ina Rama brenda këtij viti. Sipas deputetit demokrat, ish-ministër i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, numri një i akuzës duhet të lirojë zyrën në muajin nëntor dhe çështja nuk ka asnjë motiv të kalojë në Gjykatë Kushtetuese.
“Nuk besoj se mund të çohet në këtë rast interpretim i Kushtetutës, kur nuk ka një konflikt kushtetues në këtë rast. Çështja është e qartë, e pastër, e shkruar në mënyrë të tillë, si të thuash me dashje direkte”, ka deklaruar Alibeaj i pyetur sot nga gazetarët, pas deklaratave të ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku, sipas të cilit, Ina Rama duhet të vijojë të mbajë postin e saj.
Për Alibeajn bazuar në ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008 detyra e saj përfundon në ditën e fundit të vitit të 5-të që ka marrë këtë mandat.
“Amendamenti Kushtetues i vitit 2008 nuk përmban asnjë lloj dispozite tranzitore, sipas së cilës të mund të përcaktojë që ky afat të fillonte nga momenti kur u bënë ndryshimet Kushtetuese. Sot kemi një Kushtetutë; e cila përmban si rregull të saj që mandati i Prokurorit të Përgjithshëm është 5 vjet. Diku në fund të tetorit a nëntorit mbaron dhe mandati i Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë aktualisht. Duket që është çështje e së ardhmes së afërt”, ka deklaruar Alibeaj.
25 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)