Shtohen kontrollet nëpër kryqësimet e Tiranës, nën monitorim edhe rrugët rurale.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë njoftoi sot se ka hartuar një plan të ri masash për sektorin e qarkullimit rrugor, duke vendosur të përforcojë policinë rrugore me forca nga pjesa tjetër e policisë për të rritur kontrollet nëpër kryqëzime, me qëllimin e disiplinimit të qarkullimit të automjeteve dhe shmangies së aksidenteve.
“Ndër masat e marra është parashikuar një bashkëpunim edhe më të frytshëm më Njësinë Rajonale të Qarkullimit rrgor Tiranë, me Komisariatet e Policisë së Tiranës për parandalimin e aksidenteve e ngjarjeve të tjera aksidentale, në akset rrugore të qytetit të Tiranës dhe në vecanti në akset rrugore të zonave rurale,” – thuhet në njoftimin e policisë.
“Bashkëpunimi konsiston, në ushtrimin e kontrollit të përbashkët të punonjësve të policisë rrugore me specialistët e parandalimit dhe të hetimit të krimit në Komisariate. Nga Njësia Rajonale e Policisë Rrugore, me qëllim disiplinimin e qarkullimit rrugor, janë përforcuar shërbimet në kryqëzime, drejtimet dhe hyrje – daljet kryesore të lëvizjes në qytetin e Tiranës,” – vijon më tej njoftimi.
Shqipëria ka ndoshta numrin më të lartë të policëve të qarkullimit rrugor në raport me numrin e automjeteve, kryesisht për shkak të karakterit gjobëvjelës korruptim të kësaj strukture dhe refuzimit të vazhdueshëm të Ministrisë së Brendshme për të përdorur kamerat dhe teknologjinë për zbulimin e shkeljeve të rregullave të trafikut.
Policia rrugore ka qenë veçanërisht aktive gjatë muajve të fundit dhe sasia e gjobave të vëna është shtuar ndjeshëm, bashkë me ankesat e qytetarëve, të cilët, në shumë raste raportojnë se kanë marrë gjoba nga policia rrugore nëpër qytete ku nuk kanë qenë kurrë.
25 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)