Andrea Pirlo, protagonisti i përballjes me Anglinë, analizon sfidën e së enjtes
Dy ditë përpara sfidës me Gjermaninë, mesfushori i kombëtares italiane, protagonisti i përballjes me Anglinë, Andrea Pirlo, shprehet optimist për fitoren.
“Gjermania është një skuadër e fortë, e ka treguar gjatë gjithë kampionatit. Por edhe ne jemi të fortë. Do të jetë një gjysmëfinale e bukur”, ka parashikuar Pirlo.
Ndërkohë janë të shumtë ata që po diskutojnë se Andrea Pirlo mund të marrë Topin e Artë. Por ai shprehet modest dhe sipas tij do të jetë e vështirë përballja me kampionë të kalibrit të Kristiano Ronaldos e Leo Messit:
“I zhgënjyer nëse nuk do të fitoj Topin e Artë? Jo, absolutisht, përderisa do të jenë Messi e Ronaldo mendoj se është e pamundur të dalësh para tyre”,- ka thënë Pirlo.
Sakaq ditët e fundit, në Gjermani po përflitet për një “hakmarrje” të mundshme dhe një fitore kundër Italisë që do të jetë historike. “Në Gjermani e dinë që Italia të tremb. I kemi parë të gjitha ndeshjet dhe Gjermania është një skuadër e madhe, por taktika është pak a shumë e njëjta që është përdorur në vitin 2006 dhe dëshira jonë është e njëjtë si në Botëror. Diferenca e vetme është që luanim në Gjermani”. Më tej Pirlo shprehet i bindur për potencialin e italianëve.
“Në mesfushë ata kanë individualitete të padiskutueshme, por edhe ne kemi lojtarë shumë të mirë, që mund të luajnë përballë kujdo”, ka përfunduar mesfushori i Juves.
26 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)