Kreu i PS-së: Nëse LSI del nga qeveria, mund të hapet bashkëpunimi


Kryetari i PS-së, Edi Rama, në emision “Prizëm” në AS TV, e cilëson Fatos Nanon si pjesë të folklorit të ditës. Pyetjes së gazetarit Aleksandër Furxhi për rimarrjen e PS-së, Rama u shpreh se “është pjesë e folklorit politik të ditës”. “E dëgjova pyetjen dhe e dhashë përgjigjen, është pjesë e folklorit politik të ditës dhe unë nuk kam asnjë minutë për të humbur me këtë folklor”, ritheksoi Rama. Në lidhje me kritikat e europarlamentarit Eduard Kukan për mosparaqitjen e një kandidati për president nga opozita, kryesocialisti shprehet se ai është larg të qenët arbitër, pasi përfaqëson forcë politike të djathtë në PE. “Arbitër ndërkombëtar do të quaja ODIHR në rastin kur monitoron  zgjedhjet, ndërsa të tjerët miq janë partnerë, kanë këndvështrimet e tyre nuk është e thënë që gjithmonë të kenë këndvështrime asnjanëse dhe në këtë rast unë sigurisht nuk jam dakord me ato që thotë zoti Kukan. Edhe pse jam dakord shumë shpesh me zotin Kukan i cili ka dhënë një sërë prononcimesh për çështjen e zgjedhjes së Presidentit dhe ka bërë shumë të qartë qëndrimin se ky është një shans i humbur për Shqipërinë. Për sa i përket çështjes së garës ata që kërkojnë të konstatojnë një të metë në proces nga ana jonë për faktin se ne nuk paraqitëm kandidat, nuk kanë kuptuar më asgjë pastaj nga gjithçka ne kemi përcaktuar në vizionin tonë për zgjedhjen e Presidentit drejt një konsensusi. Nuk mund të ketë konsensus me garë”, theksoi Rama. Kreu i PS-së ka komentuar dhe ndryshimet e fundit të qeverisë. “Këto janë arnime të një thesi tanimë të shpuar nga të gjitha anët dhe nuk sjellin asnjë cilësi të re, përkundrazi nxjerrin  sklerotizimin e gjithë organizmit qeverisës. Kam parasysh simbolikën e figurës së ministrit të ri të Brendshëm që është shëmbëlltyra e mediokritetit e vulgaritetit dhe e militantizmit agresiv të PD-së në vite dhe që pas këtaj do të jetë ministër i Brendshëm i Shqipërisë. Të flasësh për shëmbëlltyrë të mediokritetit të vulgaritetit dhe militantizmit agresiv nuk është një fyerje, është konstatim, së dyti as nuk e prisja dhe as nuk çuditem dhe nuk përbën asnjë ngjarje e përsëris është thjesht një arnim i një thesi të shpuar nga të katër anët që arnë pas arne po bie dalëngadalë në tokë dhe do të plandoset në zgjedhjet e 2013-s”, theksoi Rama. Ndërsa për bashkëpunimin me LSI-në, kryesocialisti theksoi “vetëm në qoftë se LSI braktis koalicionin qeverisës dhe kalon në kampin opozitar do të eksplorojmë çdo mundësi për të bashkëpunuar me të në të kundërt LSI është përballë nesh në kampin kundërshtar me ne në krahun e djathtë të PD-së dhe në zgjedhje do të shkojmë ballë për ballë dhe do të fitojmë pavarësisht se ku gjendet LSI apo ku gjenden ata që janë sot satelit të PD-së”.