Dëgjohen dëshmitë e ish-kreut të Policisë Bashkiake, Zydi Dajti dhe njërit prej të plagosurve
Seanca e radhës së procesit të “21 Janarit”, ka vijuar sot me dëshminë e ish-drejtorit të Policisë Bashkiake të Tiranës, Zydi Dajti. Ai rindërtoi ngjarjen e 21 janarit 2011, ku katër protestues mbetën të vrarë me armë zjarri, teksa zhvillohej protesta përpara godinës kryeministrore. Fillimisht Dajti deklaroi se kishte sinjalizime që protesta do ishte e dhunshme dhe ai si shef i Policisë Bashkiake kishte marre masa që subjektet tregtare që ushtronin aktivitetin pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, të mos dëmtoheshin.
“Mua më kanë marrë oficerët e lartë të policisë që të qetësoja situatën dhe unë u përpoqa që demonstruesit të mos hynin në kryeministri. Kisha afër deputetët Besnik Bare, Saimir Tahiri dhe Artan Gace dhe së bashku u përpoqëm të qetësonim qytetarët. Unë kuptova që plumbat ishin të vërtetë jo vetëm nga zhurma, sepse kam qenë vetë gardist, por sepse filluan të thyheshin degë pemësh “, kujtoi Dajti, një ndër ata dhjetëra dëshmitarë okularë që do të thirren të dëshmojnë në gjykatë.
Dëshmitari ka pohuar se kishte parë në dritare një gardist të qëllonte dhe më vonë kishte kuptuar nga media, se ai ishte Agim Llupo. Ndërkohë dëshmitari tjetër, Erald Bisha, një nga plagosurit e protestës së 21 janarit, rrëfeu se ishte duke kaluar rastësisht në bulevard dhe se nuk ishte demonstrues. Ai theksoi se nuk e kishte parë personin që e qëlloi. Gjykata caktoi seancën e radhës në javën e parë të korrikut, ku akuza do të thërrasë për të dëshmuar të tjerë persona. Por avokati i Ndrea Prendit, Genc Gjokutaj sugjeroi që ndërkohë mund të vijohet në seancat e ardhshme me pyetjen si dëshmitarë të gardistëve që ndodheshin në krye të detyrës në 21 janar 2011.
27 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)