Kreu i PS-së reagon pas nismës “Vepro Tani”: Të gjithë deputetët në bazë



Lideri i opozitës, Edi Rama, ka reaguar pas nismës së shpallur nga ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, që të shkundë nga përgjumja shoqërinë shqiptare, e fokusuar si nisma “Vepro Tani” Edhe Rama ka vepruar pak ditë më pas, kur në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PS-së u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës të shkojnë në bazë për të nisur një lëvizje me qytetarët. Kryesocialisti bëri të qartë alternativën e re të opozitës në këtë periudhë. “Brenda kohës së mbetur të këtij sesioni parlamentar, çdo deputet e deputete duhet të ndërmarrë një lëvizje dhe komunikim të pandërprerë, të drejtpërdrejt, në çdo zonë të Shqipërisë. Duke nisur me strukturat e Partisë Socialiste, me të gjithë përfaqësuesit socialistë nga çdo qendër votimi, për të folur dhe për të dëgjuar. Për t’u përgjigjur çdo pyetjeje dhe për të dhënë çdo shpjegim të nevojshëm lidhur me gjithë sa kemi bërë deri këtu e për të gjithë sa duam të bëjmë bashkë me ta”, tha Rama. Kryesocialisti gjithashtu komentoi dhe vendimin e Gjykatës ndaj deputetit të PS-së, Sajmir Tahiri. “Përgëzoj publikisht deputetët e deputetet që i qëndruan besnikërisht solidarë nënkryetarit të grupit parlamentar Saimir Tahiri, në përballjen me një gjykatës të korruptuar e të kthyer në grusht çeliku ndaj opozitës nga kryeministri. Nënkryetari i grupit tonë parlamentar u dënua padrejtësisht, me një gjobë të turpshme, nga gjykatës Çeliku që refuzoi prova e dëshmitarë për të çuar deri në fund një proces hakmarrjeje ndaj opozitës për kurajën e nënkryetarit të grupit në përballjen konstante me korrupsionin e kryeministrit e të ministrave të tij. Sajmir Tahiri i kishte edhe provat, edhe dëshmitarët për të vërtetuar se nuk i kishte akuzuar fëmijët e kryeministrit pse janë fëmijët e kryeministrit, po pse si fëmijë të kryeministrit kanë përfituar nga korrupsioni i qeverisë së kryeministrit”, tha Rama. Ky ishte reagimi i parë i kryesocialistit pas qëndrimit të ashpër të mbajtur nga ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, i cili kohë më parë shpalli lëvizjen “Act Now”.


Kryetari i PS-së, Edi Rama, në mbledhjen e grupit parlamentar deputetëve të partisë që ai drejton u shpreh se “sharjet në adresë të opozitës janë prej kohësh e vetmja alternativë e qeverisë që ka dështuar me punësimin, shëndetësinë, arsimin, zhvillimin urban e rural të Shqipërisë dhe me të gjitha politikat për nxitjen e sipërmarrjes dhe të zhvillimit ekonomik të vendit”.


“Motoja e propagandës qeveritare është: Fajin e ka opozita pse shqiptarët s’kanë punë, fajin e ka opozita pse shqiptarët s’kanë fuqi blerëse, fajin e ka opozita pse shqiptarët s’kanë shtet në shërbim të tyre. Padyshim edhe për faktin që Shqipëria është jashtë BE-së, sot në vigjiljen dramatike të humbjes për të tretën herë të statusit të vendit kandidat, përsëri fajin e ka opozita.


Por fatkeqësisht, kjo rapsodi e vrazhdë qeveritare që këndohet në çdo skenë e në çdo ekran prej vitesh tanimë, jehon kudo mes dëshpërimit të përgjithshëm social dhe përçohet mes zërash të dëshpëruar nëpër komunitete e rrjete sociale që tek opozita e gjejnë fajin edhe për keqqeverisjen e për krimet e për korrupsionin e kudondodhur. Fajin e ka opozita pse zgjedhjet u vodhën në 2009-n e u rivodhën në Tiranë në vitin 2011. Fajin e ka opozita pse u vranë katër protestues të pafajshëm dhe drejtësia vazhdon të mos bëjë drejtësi”, theksoi Rama.


B.Hoti