Intervista


Presidenti: SHISH nuk do të pësojë tronditje edhe në të ardhmen


Bamir Topi e konsideroi të duhur deklaratën e deputetit të PD-së Mark Marku për mungesën e karrierës së brendshme në mazhorancë, por theksoi se ky reagim ishte i vonuar


“Jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet nëse mua më dalin prona të tjera nga ato që kam deklaruar. Jam shumë transparent në këtë pikë”


Presidenti në detyrë i Republikës, Bamir Topi, deklaroi dje se në politikën shqiptare ka shumë persona që në të shkuarën kanë qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit. I ftuar në “Ora News”, në një intervistë televizive, Topi theksoi se këto të dhëna i kishte zyrtare, si pasojë e pozicionit të tij si President. Por Topi nuk preferoi të komentonte nëse këta persona ndodheshin apo jo edhe në Këshillin e Ministrave. “Në rrethin e politikës ka njerëz të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit. Këtë e di mbi bazën e informacioneve zyrtare që kam si President i Republikës”, deklaroi Topi. Nga ana tjetër, ai nuk ngurroi të fliste edhe për karrierën e tij, pasi të largohej nga Presidenca, duke theksuar se do të kthehej në politikë si misionar, sepse kishte ezauruar karrierën akademike dhe po kështu një pjesë të mirë të karrierës politike.


“Jam i vendosur të kthehem si misionar në politikë, pas një karriere të gjatë, duke nisur nga jeta akademike, si pedagog dhe profesor dhe nga karriera politike, si ministër, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në opozitë dhe në mazhorancë”, deklaroi Topi, duke theksuar se ai tani do të përpiqej të ishte një politikan në funksion të interesave të qytetarëve. Por kreu i shtetit theksoi se partia në të cilën do të aderonte, do të zbulohej vetëm në muajin shtator, pasi ai të linte zyrtarisht detyrën si President në fund të korrikut dhe, nga ana tjetër, të kryente edhe pushimet e gushtit, të nevojshme nisur nga tensioni i lartë politik. Topi foli gjerësisht dje edhe për institucionet e vendit, duke i dhënë nota maksimale funksionimit të Shërbimit Informativ Shqiptar. Sipas tij, ky institucion është totalisht jashtë politikës dhe kjo për meritë edhe të faktorit ndërkombëtar. “Për këtë institucion ruaj notat më të mira në kuadër të vlerësimit, totalisht jashtë politikës, në monitorim të ngushtë të partnerëve tanë. Ka pasur tendenca të futet politika në këtë institucion, por ka hasur në rezistencë nga ndërkombëtarët, për shkak se Shqipëria është vend i NATO-s”, deklaroi Topi. Sipas tij, funksionimi i këtij institucioni do të vazhdonte i njëjtë edhe tani që Nishani do të vendosej në krye të Presidencës. Por, sipas tij, qëndrueshmëria e institucionit nuk kishte lidhje me emrin e titullarit, sepse asnjë nuk ishte i përjetshëm në pozicionet e shtetit. Në lidhje me kohën se kur i mbaron mandati kryeprokurores Ina Rama, Topi theksoi se këtë çështje duhet ta shqyrtonin konstitucionalistët, për shkak se ishte e komplikuar juridikisht. “Me këtë çështje duhet të merren konstitucionalistët dhe ka nevojë për interpretim edhe nga Gjykata Kushtetuese. Me pas duhet të flasë politika”, deklaroi ai. Nga ana tjetër, Topi theksoi se nënkryetari i ri i Këshillit të Lartë të Drejtësisë duhet të zgjidhej nga ana e presidentit të ri, pasi për emrin që ai propozoi si nënkryetar, palët ishin të ndara “50 me 50”. Në këto kushte Topi theksoi se ia kishte lënë stafetën Nishanit për ta zgjedhur numrin dy të drejtësisë së vendit.


F.Mejdini