Sekretarja amerikane e Shtetit i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Zgjedhur, Bujar Nishani
Presidenti i zgjedhur i Republikës, Bujar Nishani, ka marrë dje mesazhin zyrtar të urimit nga sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton. Një urim normal, që tregon miqësinë mes dy vendeve aleatë, por që thekson në mënyrë të qartë një kërkesë që ka të bëjë me debatin që ka nisur prej zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Pikërisht me shqetësimin që mazhoranca të mos monopolizojë të gjitha institucionet e shtetit shqiptar. Dhe në rreshtat e pakta të mesazhit të zonjës Klinton, kjo bëhet e ditur në mënyrë të qartë. Dje, pra dy javë nga votimi i zhvilluar në Parlament, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka zhvilluar një takim me Presidentin Nishani, ku i ka dorëzuar mesazhin zyrtar të sekretares Klinton. Në letrën e numrit dy të administratës Obama, theksohet: “I dashur President i Zgjedhur, Dëshiroj t’ju përcjell urimet më të ngrohta për zgjedhjen tuaj si president më 11 qershor. Pres me kënaqësi të punoj me ju në cilësinë tuaj të re si president, për të ndihmuar në forcimin e demokracisë së Shqipërisë dhe për të çuar përpara aspiratat europiane të popullit shqiptar. Posti juaj i ri është me rëndësi jetike për ruajtjen dhe zhvillimin e demokracisë së Shqipërisë dhe jam besimplotë që integriteti dhe gjykimi juaj do t’i përshtaten përgjegjësive të mëdha që i ngarkohen Presidencës. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të mbështesin punën tuaj të rëndësishme për të siguruar pavarësinë dhe efektshmërinë e institucioneve qeverisëse të Shqipërisë.
Sinqerisht juaja, Hillari Rodham Klinton”. Qëndrimi i Uashingtonit zyrtar është bërë i qartë edhe nga ambasadori Arvizu, por në mesazhin e sekretares Klinton, gjithçka bëhet më potenciale dhe shprehet në dy paragrafët e fundit të mesazhit. SHBA shpreh konfidencë te virtytet personale të presidentit të zgjedhur, Bujar Nishani, ndaj theksohet se “jam besimplotë që integriteti dhe gjykimi juaj do t’i përshtaten përgjegjësive të mëdha që i ngarkohen Presidencës”. Në urimin e sekretares amerikane të Shtetit, natyrisht ka një shqetësim, i cili nëpërmjet urimit, vjen si një qëndrim, por edhe një paralajmërim. Kjo natyrisht ka reflektimin e saj edhe për politikën shqiptare, kryesisht për mazhorancën.