Bllokohet reforma zgjedhore. Kryeministri: Nuk mund të priten kokat


Kur kanë mbetur edhe 9 ditë nga mbarimi i afatit të Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, mazhoranca dhe opozita ndodhen larg arritjes së një konsensusi të tillë. Një gjë e tillë u bë prezent dukshëm edhe në tryezën e organizuar nga KQZ-ja dhe Kuvendi për reformën zgjedhore, ku në panelin kryesor mungonte bashkëkryetari i komisionit të posaçëm, socialisti Damian Gjiknuri. Ndërsa të njëjtin fat duket se pati edhe homologu i tij, demokrati Ilir Rusmali. Përpos këtij fakti, ndasia mes palëve u bë e qartë gjatë diskutimit të Kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së. Berisha ka mbrojtur në mënyrë indirekte skemën e aktuale të KQZ-së, me mbrojtjen që i bëri kryekomisionerit aktual të këtij institucioni. “Unë e garantoj PS-në, se te ne ekziston vullneti i plotë për finalizimin në përputhje me direktivat e ODIHR-it të kësaj reforme në kohën më të afërt. Tani po përballemi me një fenomen të veçantë, fenomeni unik që të krijon përshtypjen ndonjëherë se në këtë proces nuk kërkohet ligji, por kërkohen kokat në tepsi, d.m.th., në çdo rast kryetari i PS-së sulmon dhe demonizon në mënyrën më të papranueshme kryetarin e KQZ-së dhe në qoftë se ju do të krahasoni sulmet që i ka bërë ai Arben Ristanit, me sulmet që i bën ai Lulzim Bashës, ju garantoj se sulmet që i bën Arben Ristanit janë disa herë më të mëdha. Nuk është Arben Ristani që i bind qytetarët e Tiranës, është Lulzim Basha, prandaj i them zotit Rama: mos u merr me kokat, të merret me ligjet, se Ristani është një nga personalitetet më të shquara dhe më të ekuilibruara të vendit. Unë e përgëzoj sot zotin Ristani për performancën e shkëlqyer që bëri në konferencën me Komisionin e Venecias, një konferencë shumë e rëndësishme kjo, një konferencë ku pjesëmarrës kryesorë theksuan se Shqipëria ka plotësuar kodin etik të zgjedhjeve më mirë se kushdo tjetër. Unë mendoj që të arsyetohet jashtë demonizimeve dhe kokave të prera, që janë atavizma të cilët kanë mbetur nga një kohë shumë e hershme. Kokat në tepsi kanë mbetur nga një periudhë tejet e hershme, kur priteshin kokat dhe shqiptarët mbajnë mend vetëm kokën e Ali Pashës, që në fakt duhet të bëjmë ç’është e mundur që ta kthejmë në Shqipëri dhe ta bashkojmë me trupin, sepse nuk ka pse mbetet trupi në Janinë dhe koka në Stamboll. Ndaj dhe i bëj thirrje që ta mbyllim”, tha Berisha. Lideri i mazhorancës u shpreh se është i gatshëm të takohet me kreun e PS-së, “në qoftë se ka edhe dyshimin më të vogël te qëndrimi i sinqertë i yni dhe vendosmëria jonë për ta zgjidhur problemin. Ndërkaq, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha se opozita do të jetë fajtore nëse nuk merret statusi kandidat. “Është koha për të vepruar. Është koha tani. Shqiptarët duan statusin, ata e meritojnë. Ata nuk e falin bllokimin. Dhe këtë e kanë treguar. Unë jam besimplotë”, tha Topalli. Në lidhje me këtë bllokim ka reaguar edhe lëvizja “Nano për fitoren e socialistëve”, e cila thekson se “përparimi i axhendës së integrimit europian të vendit tonë, po pëson zhvendosje dhe pengesa të pakuptimta nga qeverisja e papërgjegjshme e Sali Berishës dhe mendësia e tij akaparuese e çdo pushteti dhe hapësire veprimi”. – B.Hoti


 


Wollfarth


Apeli për mbylljen e reformës zgjedhore erdhi dje edhe nga ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, gjatë tryezës së organizuar nga Kuvendi dhe KiE