Deklarata
Bledar Hoti
Raporti i fundit i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet lokale të 8 majit plagosi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ky ka qenë mendimi i kryekomisionerit Arben Ristani i shprehur në tryezën e organizuar nga Kuvendi, KiE dhe KQZ me temë “Trashëgimia zgjedhore europiane. Kodi i praktikave të sjelljes së mirë lidhur me çështjet elektorale”, me rastin e 10-vjetorit të krijimit të këtij Kodi. Një qëndrim i tillë i Ristanit, erdhi pas shpjegimit të faktit se institucioni që ka drejtuar ka pasur presione politike në dy palë zgjedhje, parlamentare të 2009-s dhe vendore të 2011-s, kjo solli edhe vlerësime të ndryshme të ODIHR-it. Në zgjedhjet parlamentare, sipas Ristanit, pati konsensus dhe nuk kishte presion nga politika. Kjo solli edhe një vlerësim pozitiv nga ana e OSBE/ODIHR-it. “Megjithatë zgjedhjet lokale të 8 majit në Shqipëri nuk patën vërejtje në të gjithë territorin ku ne menaxhuam zgjedhjet, kjo përveç Tiranës. Ajo që na ndodhi në Tiranë, është një fat i keq, të cilin besoj se do e kishin mallkuar çdo KQZ në të gjithë botën. Në 250 mijë vota të numëruara, kandidatët kryesorë u ndanë paraprakisht në 10 vota dhe përfundimisht me 90 vota. Në rezultate kaq të ngushta është e kuptueshme që menaxhuesit e zgjedhjeve do të konsideroheshin si mbijetues. Ky ishte fati ynë i keq, na u desh të përballeshim me një rast të tillë që s’ka ndodhur më parë. Si pasojë e kësaj lufte të fortë politike, KQZ-ja doli i plagosur nga kjo betejë, sepse raporti i OSBE/ODIHR-it përmendi që klasa politike mund të shikojë edhe rrugën për të ndryshuar formulën e përbërjes së KQZ-së”, tha Ristani.
Vulchanov dhe ekspertët
Në panelin e të ftuarve ishte Nikolai Vulchanov, një emër i njohur për Shqipërinë. Ai ka qenë kreu i misionit të ODIHR-it në Tiranë për zgjedhjet lokale të vitit 2001. Transparenca e KQZ-së është një nga kushtet kryesore sipas Vulchanov për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Gjithashtu, sipas tij, pavarësinë apo përgjegjshmërinë e një institucioni nuk e vendos përbërja politike e një institucioni, por vendimet që ato marrin.
“Transparenca, llogaridhënia janë disa nga kushtet për paanshmëri në zgjedhje. Ligji për zgjedhjet duhet të jetë në përputhje me standardet demokratike. Detyrat e administratës zgjedhore duhet të kryhen të lira dhe të pavarura nga influenca e partive politike apo ndoshta dhe aktorëve të tjerë e duhet të jenë objekt i kontrollit gjyqësor”, tha Vulchanov. Përfaqësuesja tjetër në panel, Josette Durrieu, tha se “duhet që zgjedhjet të jenë si pjesë e pjekurisë politike të Shqipërisë. Pra duhet të jetë pjesë e maturitetit politik nga ato që janë në pushtet. Është e vërtetë, veç garantimit duhen rregulla politike dhe etike, suksesi nuk është asnjëherë i plotë. Kam qenë në Shqipëri për herë të parë në vitin ’94 dhe mendoj se tani ndryshimet janë të dukshme, por s’janë të mjaftueshme. Ka ardhur koha të ushtrohet një pjekuri e tillë”. Ish-kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, në fjalën e tij u shpreh se politika nuk ka vullnet për të zbatuar kodin e praktikave të mira. “Këtë e di mirë dhe zoti Vulchanov, se në ditën kur miratohet ligji zgjedhor, të nesërmen partitë politike nuk merrem me zbatimin e tij, frymën e ligjit, por se si t’i anashkalojnë ato principe dhe thelbin e kodit. Kjo ndodhi më 2001-shin me fenomenin e Dushkut dhe me zgjedhjet e kaluara vendore me të ashtuquajturën fletën e votimit e hedhur në kutinë e gabuar”, tha Celibashi.
Kreu i KQZ
Tirana – “Zgjedhjet lokale të 8 majit në Shqipëri nuk patën vërejtje në të gjithë territorin ku ne menaxhuam zgjedhjet, kjo përveç Tiranës
Justifikimi – “Në rezultate kaq të ngushta zgjedhore është e kuptueshme që menaxhuesit e zgjedhjeve do të konsideroheshin si mbijetues”
Celibashi – Ish-kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, në fjalën e tij u shpreh se politika nuk ka vullnet për të zbatuar kodin e praktikave të mira