Olimpiada
Debati te Komiteti Olimpik. Kërkesa e peshëngritësve: Të shoqërohemi nga trajnerët tanë
Vetëm pak ditë përpara fillimit të Lojërave Olimpike, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar zhvilloi në ambientet e saja një takim pune me sekretarët e federatave sportive që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Londër. Sipas “SuperSport”, në këtë takim janë trajtuar çështje teknike rreth përgatitjes së sportistëve, por janë dhënë edhe informacionet për ekipin olimpik, duke përcaktuar detajet. Të gjitha federatat e sporteve pjesëmarrëse në Olimpiadë i janë përgjigjur thirrjes, ashtu si edhe përfaqësuesi i shtetit, edhe pse i nxehti i madh ka mbizotëruar në zyrat e KOKSH-it. Por temperatura është rritur akoma më shumë, kur përfaqësuesi i federatës së peshëngritjes, sekretari Ilir Kraja, është bërë pjesë e takimit. Ai, së bashku me presidentin e Komisionit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello, janë përshëndetur me një debat, i cili u duk se ishte vetëm sa për të nxehur bisedën.
Më pas takimi vijoi në tone të qeta, por kur u kërkua largimi i medias nga salla për të vijuar bisedën për çështje teknike, sekretari i federatës së peshëngritjes ka ngritur tonet, duke kërkuar që gjithçka të jetë transparente edhe për mediat. Mësohet se thelbi i debatit është kërkesa e peshëngritësve pjesëmarrës në Lojërat Olimpike, të cilët kërkojnë të kenë pranë në këtë eveniment trajnerët e tyre, me të cilët janë stërvitur gjatë të gjithë vitit. Ky është i njëjti problem që shoqëroi edhe Erkand Qerimajn përpara Kampionatit Europian. Madje kërkesa e peshëngritësve ka nga prapa edhe kërcënimin se nëse një marrëveshje e tillë nuk arrihet, atëherë ata janë të vendosur të bojkotojnë pjesëmarrjen e tyre në Lojërat Olimpike.