Dyshoi se kishin shkuar ti ngacmonin gruan. Policia në kërkim të 25-vjeçarit


Një grindje banale, e nxitur nga xhelozia, ka përfunduar me plagosjen e katër personave nga fshati Asim Zeneli, i Gjirokastrës. Burime nga policia bëjnë me dije se 24-vjeçari Erion Krisafi së bashku me shokun e tij Panajot Xharau, 19 vjeç, pak pas mesnatës së djeshme kanë shkuar në afërsi të banesës së shtetasit Rakip Hitaj, në fshatin Asim Zeneli. Ata janë pikasur nga djali i këtij të fundit, Oskeol Hitaj, 25 vjeç, i cili ka dyshuar se të rinjtë kishte shkuar për të ngacmuar bashkëshorten e tij. Ai ka marrë një armë gjahu teke automatike, të cilën e kishte me leje dhe ka qëlluar në drejtim të tyre, ku i ka plagosur lehtë në këmbë. Më pas i ka futur në banesë për t`i sqaruar, duke u marrë edhe kartën e identitetit dhe dokumentet e makinës dhe çelësat. Pasi janë sqaruar shtetasi Oskeol Hitaj i ka lënë këta persona të iknin në këmbë pasi makinën ua mbajti peng për të sqaruar situatën ditën e nesërme për çfarë arsye këta shtetas kishin shkuar atje. Të dëmtuarit pasi janë larguar disa metra nga banesa kanë kërkuar ndihmë tek Sokol Hysi, 50 vjeç, i cili së bashku me djalin e tij shtetasin Lato Hysi, 22 vjeç, i kanë marrë të dy shtetasit e plagosur për t`i transportuar për në spital me automjetin furgon Sprinter me targa Gj 19 93 A. Në dalje të fshatit, Oskeol Hitaj, i cili mesa duket i ka ndjekur nga pas, u ka dalë përpara me një armë zjarri automatik Kallashnikov, duke gjuajtur me breshëri në drejtim të furgonit, ku nga plumbat e kallashnikovit u plagosën përsëri në këmbë të dy shtetasit nga fshati Karjan si dhe u plagosën edhe drejtuesi i furgonit dhe djali i tij. Sipas policisë 19-vjeçari Panajot Xharau si dhe 50-vjeçari Sokol Hysi, pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore janë transportuar për në Tiranë në Spitalin Ushtarak për ndërhyrje më të specializuar kirurgjikale. Ndërsa dy personat e tjerë konkretisht Erion Krisafi si dhe Lato Hysi ndodhen në Spitalin Rajonal në Gjirokastër jashtë rrezikut për jetën pasi kanë marrë plagë të lehta. Nga veprimet e shpejta të policisë u bë e mundur sekuestrimi i armës së gjahut çifte, shpallja në kërkim e shtetasit Oskeol Hitaj, i cili është larguar së bashku me armën e zjarrit dhe po punohet për kapjen e tij. 6 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)