Tratativat
Galiani hidhet në kërkim të zëvendësimit të suedezit me Destron
Pasi iu refuzua oferta e mëparshme prej 46 milionë eurosh për Thiago Silvan, skuadra e sheikëve PSG ka trokitur sërish në dyert e Milanit, këtë herë me një ofertë të parezistueshme për kuqezinjtë. Sipas mediave italiane, skuadra franceze ka ofruar plot 62 milionë euro për goditjen e dyfishtë; Zlatan Ibrahimoviç dhe Thiago Silvan. Për momentin s’ka asgjë zyrtare, por lëvizjet e fundit të agjentit të Ibras dhe vetë lojtarit, por edhe të administratorit të deleguar të Milanit, Adriano Galiani, lënë të kuptohet se shumë shpejt, dy lojtarët do të veshin fanellën e nënkampionëve francezë për sezonin e ardhshëm. Paraditen e së enjtes, agjenti i Ibrahimoviç, Mino Raiola, ka udhëtuar drejt Parisit për të takuar drejtorin sportiv të PSG-së, Leonardo. Kjo tratativë mund të kapë shifrën 170 milionë euro: PSG ofron 62 milionë për blerjen e dyfishtë, 108 milionë të tjera Milani do t’i kursente nga rrogat e dy yjeve, që janë drejt shitjes. Ndërkohë që Galiani ndodhej në Milano duke u përpjekur për të bllokuar Matia Destron.