“Allishverish që kërkon t’u hedhë hi në sy ndërkombëtarëve”
Pas Partisë Republikane, një tjetër aleat i Partisë Demokratike, PDIU, ka kundërshtuar marrëveshjen e re për reformën zgjedhore. Me anë të një deklarate për shtyp, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, bëri të ditur se pakti i ri i duopolit PD-PS, vetëm ka përsëritur panoramën e vjetër të zgjedhjeve shqiptare, ku pritet të zhvillohen sërish votime të kontestuara. Ka qenë shumë i ashpër qëndrimi i aleatit të rëndësishëm të Berishës në koalicionin qeveritar. Në deklaratën për shtyp theksohet se “PDIU shpreh indinjatën për marrëveshjen e fundit elektorale të gatuar nga duopoli PD-PS, e cila, për nga natyra e procesit të reformës, por dhe nga rezultati, është një vazhdimësi e ujdive të bëra gjatë gjithë dy dekadave të fundit të pluralizmit shqiptar dhe nuk sjell asnjë përmirësim thelbësor në institucionin themelor të demokracisë, atë të zgjedhjeve. Mënyra se si kjo reformë gjysmake dhe e padrejtë u zhvillua, ishte një ‘deja vu’ e reformave të mëparshme, të cilat e kanë bërë traditë në Shqipëri, që reformat të kryen jo në interes të publikut të gjerë dhe përparimit të vendit në konsolidimin e demokracisë, por në interesin e ngushtë të pak aktorëve protagonistë të politikës shqiptare”. PDIU thekson se “kjo reformë nuk nxori mësim nga pësimet e mëparshme të zgjedhjeve shqiptare, por ishte një tjetër allishverish, që thjesht përpiqet t’i hedhë hi syve ndërkombëtarëve. Ajo nuk e ndryshoi sistemin e pandershëm zgjedhor, që kufizon konkurrencën politike dhe e vështirëson futjen e aktorëve dhe faktorëve të rinj në garën politike duke bllokuar pluralizmin dhe qarkullimin e elitave në vendin tonë”. Në lidhje me administrimin e zgjedhjeve, PDIU thekson se “shprehim rezerva për faktin që ende procesi zgjedhor do të lihet në dorë të përfaqësuesve politikë dhe sërish nuk do të administrohet në mënyrë profesionale, nën garancinë e ligjit, duke shkuar ndesh me një nga kriteret themelore të Kopenhagës për integrimin europian, që është sundimi i ligjit. Fatkeqësisht kjo formë primitive e organizimit të zgjedhjeve, për të cilën kanë rënë dakord PD dhe PS, është një recetë e sigurt që garanton vetëm një vendnumëro në procesin e integrimit”. Ndërkaq, Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur optimiste. “Lajm i mirë politik për këtë vit, sepse kjo shkon përshtat me plotësimin e njërës prej tri reformave të mbetura për sa i takon marrjes së statusit të vendit kandidat. Sa i madh apo i vogël është ky konsensus i arritur do të duhet ta shohim sot një vit. E kuptoj entuziazmin e partive të mëdha, për të bërë deklaratat e radhës për arritjet e mëdha. Është tashmë një reformë e plotësuar në kuptimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, por nuk besoj se është një reformë e thellë zgjedhore”, tha Ylli Manjani, sekretar për çështjen zgjedhore në LSI.
Ndërkaq, Lëvizja Socialiste për Integrim ka qëndrimet e veta për sistemin, pasi thekson se “është një sistem që pa shumë mund elektoral të jep minimumi 64-65 mandate dhe në këtë pikëpamje, interesi i këtyre partive të mëdha nuk shkon për shtat në tërësi me interesin e demokracisë shqiptare për më shumë pluralizëm”.
“Fatkeqësisht, kjo formë primitive e organizimit të zgjedhjeve për të cilën kanë rënë dakord PD dhe PS, është një recetë e sigurt, që garanton vetëm një vendnumëro në procesin e integrimit”
Madhi
PR: OSBE duhet të kishte reaguar për skandalin
Partia Republikane ka shkuar më tej në akuzat e saj ndaj “të mëdhenjve”, duke identifikuar OSBE-në si fajtore. Arjan Madhi tha se OSBE-ja duhet të kishte reaguar qoftë vetëm për të dhënë opinionin e saj sa i përket këtij procesi. Nënkryetari i republikanëve, Arjan Madhi, ritheksoi qëndrimin kundër ndryshimeve të bëra në reformën elektorale. Sipas tij, ato nuk garantojnë leximin e drejtë të votës, si dhe përfaqësimin e drejtë të partive të vogla në zgjedhjet e ardhshme. “E ashtuquajtura reformë zgjedhore, e cila konsumoi shumë kohë, shumë energji, shumë debat politik, në fund u finalizua jo si një reformë zgjedhore, por vetëm si një paketë ndryshimesh që garantonte marrëdhëniet në një proces të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Reforma duhet të adresojë jo vetëm çështje të karakterit teknik, për të cilat ne jemi shumë të interesuara, por çështje të karakterit të standardeve të parimeve dhe kritereve që do ta bënin një kod, që do të garantonte votën e lirë të shqiptarëve, një kod, i cili do të siguronte përfaqësimin e drejtë të votës së shqiptarëve”, deklaroi Madhi.