Vendimi
Komisioni i Apelit në Federatën Botërore të Peshëngritjes e ka ulur në 15 muaj dënimin 2-vjeçar të Erkan Qerimajt, që përfundon më 12 korrik të vitit të ardhshëm. Vendimi e lë përfundimisht shkodranin jashtë Lojërave Olimpike Londër 2012.
24-vjeçari rezultoi pozitiv në testin antidoping në Europianin e Peshëngritjes së këtij viti në Antalia, aty ku u shpall dhe kampion Europe në peshën 77 kilogramë. Në këtë kompeticion në urinën e Qerimajt u gjet një substancë e familjes Metyl Hexanamine. Në fillim, Qerimaj u përjashtua 4 vjet nga çdo aktivitet, por më pas, Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes në site-n e saj publikoi dënimin e Erkandit me 2 vjet, duke quajtur gabim njerëzor atë që ishte publikuar më parë. Peshëngritësi shkodran premton se do të rikthehet edhe më i fortë në Kampionatin Botëror të vitit 2013 dhe në Europianin e 2014-s, që do të zhvillohet në Shqipëri. Erkandi i ka shkuar deri në fund betejës ligjore, i bindur se është i pafajshëm, edhe pse i është dashur të shpenzojë 20 mijë euro për të siguruar pjesëmarrjen në botërorin e ardhshëm. Peshëngritësi që i ka dhuruar shumë medalje Shqipërisë që në moshën 14-vjeçare, i referohet edhe rastit të Luiza Gegës, për të demaskuar paaftësinë e institucioneve sportive shqiptare, në menaxhimin e sportistëve elitarë.