Reagon administratori, pas kontestimeve të tifozëve për largimet
Administratori i përgjithshëm i Milanit, Adriano Galiani, ka reaguar pas kërkesave dhe ankesave të një grupi të tifozëve kuqezinj, tepër të irrituar me klubin e tyre pas shitjes së Ibrahimoviç dhe Tiago Silvës. “Milani është në menjëherë në dispozicion për të rimbursuar abonimet e të gjithë atyre tifozëve që nuk janë të kënaqur me rekrutimet e kryera nga kompania”, citohet shefi ekzekutiv i kuqezinjve nga “Corriere della Sera”. Galiani i përgjigjet kësisoj flakë për flakë protestës së disa tifozëve të Milanit, të cilët thanë një ditë më parë se ishin të gatshëm edhe për një protestë të fuqishme kundër strategjive të marketingut që po përdor klubi, sidomos në rastin e shitjes brenda pak ditësh e Tiago Silvës dhe Zlatan Ibrahimoviç te Paris SG. Në fokus është reklama me të cilën kuqezinjtë kanë promovuar biletat e abonimit për sezonin e ri futbollistik, 2012-2013. Në mbështetje të diçiturës së kartës abonuese ishte edhe një fotografi, në të cilën qëndronin të përqafuar pas një goli Ambrozini, Boateng, Noçerino, Ibrahimoviç dhe Tiago Silva. “Dy nga pesë lojtarët, megjithatë, nuk janë më të Milanit, nënvizonin në ankesën e tyre tifozët kuqezinj, – dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë emër dosido, por për dy yje, që mund të kenë ndikuar në zgjedhjen e konsumatorit për të bërë abonim në stadium për sezonin e ardhshëm”.
