PËRPLASJA 


Berisha: Rama po kërkon pazare, kryesocialisti: Kjo nuk është e vërtetë


Dy drejtuesit kryesorë të politikës shqiptare janë përplasur dje në distancë, në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës. Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e grupit të PD-së, u shpreh se lideri i opozitës, me propozimin e tij, kërkon që të realizojë një Kushtetutë pakice. “Ajo që është bizare, është se zoti Rama e lidh heqjen e imunitetit, me pazare për drejtësinë. Rëndësi ka pazari dhe në shkëmbim të kësaj, kërkon atë që ndodhi me Avokatin e Popullit, institucionin e të cilit e mbajti dy vjet pa kryetar. Ai kërkon që të gjithë krerët e institucioneve, i Gjykatës Kushtetuese, i Gjykatës së Lartë, i të gjithë gjyqtarëve të këtyre gjykatave, i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurori i Përgjithshëm, Presidenti i Republikës të emërohen me mekanizmin e Avokatit të Popullit, çka do të thotë ose zgjedhje e tyre në zyrat e Fidelit, ose mbetje e institucioneve pa kokë”, tha Berisha. Më tej, Kryeministri deklaroi se “në rast se Presidenti e kryetari i Gjykatës Kushtetuese bllokohet nga pakica, kryetari i Gjykatës së Lartë emërohet nga pakica, Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga pakica, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit emërohet nga pakica, atëherë përse të mos emërohet edhe qeveria nga pakica!! Ky është varianti i sundimit dhe i diktatit të pakicës mbi shumicën”. “Zoti Rama mban peng imunitetin për shkak të një kupole të ngushtë, tre-katër vetë, në PS, të cilët, duke e ditur qartë se me këtë kurs ajo parti i largohet horizontit të pushtetit me shpejtësi të madhe, duan ta diktojnë marrjen e pushtetit nga pakica, nëpërmjet Kushtetutës së pakicës bllokuese. Kjo praktikë është absolutisht e papranueshme!”, theksoi Berisha.


Qëndrimi i PS-së


Lideri i PS-së, pas takimit me ambasadorin e SHBA-së, Arvizu, theksoi se opozita nuk po kërkon të bëjë pazare në lidhje me çështjen e ndryshimit të Kushtetutës. “Ne nuk kemi vendosur kushte dhe as nuk bëjmë pazar me këtë proces. Ne kemi paraqitur një vizion të bindur se vendit i duhet një reformë kushtetuese në funksion të forcimit të institucioneve të drejtësisë dhe të rritjes së efektshmërisë së luftës kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Partia Socialiste nuk do ta arnojë Kushtetutën në gusht dhe të bëjë pastaj arnime të tjera në shtator. Ne duam një diskutim, i cili të jetë i plotë për të gjitha çështjet dhe pastaj, në fund të këtij diskutimi, secila palë voton ose nuk voton atë çka konsideron të nevojshme ose të panevojshme. Shqiptarët le të gjykojnë”, tha Rama. Në lidhje me akuzat e Berishës ndaj opozitës, lideri i PS-së u shpreh se “unë e neveris këtë propagandë. Unë e neveris kryeministrin e Shqipërisë, kur flet në një gjuhë të tillë. Ndërkohë që kërkon konsensus nga opozita, sulmon përditë opozitën. Kjo gjuhë është një gjuhë me të cilën nuk bëhen kompromise as në tregun e fshatarëve, ku diskutohet çmimi i qepës dhe jo më të bëhen kompromise të mëdha për Kushtetutën”. “Për thirrjet e kryeministrit, s’kemi asnjë respekt. Jemi në këtë pozicion sepse ky është pozicioni që i duhet vendit dhe mbi hesapet partiake dhe interesat e politikës së ditës është aspirata për integrimin e Shqipërisë në BE. Ne jemi mishërim i kësaj aspirate. Kemi bërë gjithçka kemi pasur në dorë. Ndërkohë që kemi bërë një përpjekje të jashtëzakonshme për të mos zgjedhur një president të njëanshëm noter partie, si ky që zgjodhi pala tjetër. Edhe këtë në funksion të statusit të kandidatit. Kështu që kjo është një propagandë e neveritshme. Unë e neveris këtë propagandë dhe them që ata që e dëgjojnë dhe e besojnë këtë propagandë, janë thjesht shurdh dhe qorr, që ia kanë falur veshët dhe sytë udhëheqësit të tyre të lavdishëm”, theksoi Rama.