Plani – PD dhe PS kanë miratuar një plan prej 8 pikash, për të kryer mbikëqyrjen parlamentare në Ministrinë e Mbrojtjes


Imami – Ministri Imami ka qenë në komision ku ka raportuar për planin e përhapjes së FA-së. Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura


Bllokimi – Imami bëri të ditur se nuk do të lejojë në asnjë mënyrë kontrollin fizik të deputetëve në Ministrinë e Mbrojtjes


Demi – Kreu i Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi, duket se po përballet nga presionet brenda mazhorancës për këtë kontroll ndaj Imamit


Dështon mbledhja e Komisionit të Sigurisë, nuk paraqiten anëtarët e mazhorancës


BLEDAR HOTI


Nënkryetari Gjoni u shpreh se nuk e përjashton mundësinë e krijimit të komisionit hetimor ndaj Imamit


Nga të dhënat zyrtare, ne kemi provuar që kjo kompani është favorizuar në çmime për blerje apo shitje të armatimeve


Partia Demokratike bllokon opozitën në punën për mbikëqyrjen e veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes. Dje ishte parashikuar një mbledhje e posaçme e Komisionit Kuvendor të Sigurisë për të përcaktuar punën e mëtejshme të komisionit, që kishte si qëllim mbikëqyrjen parlamentare ndaj dikasterit që drejtohet nga Arben Imami. Mazhoranca ka gjetur skemë të posaçme, duke bërë që të kishte një mungesë kuorumi në komision, çka sillte mosvazhdimin e mbledhjes. Edhe pse deputetët, anëtarët e komisionit, ishin njoftuar nga kryekomisioneri Leonard Demi, demokratët preferuan të bojkotonin mbledhjen. Nga mazhoranca ishin vetëm Demi, Paluca dhe Ngresi. Përveç deputetëve të opozitës, i pranishëm ishte edhe deputeti i shkëputur nga PD-ja, Gazmend Oketa i FRD-së. Pas disa minuta pritjeje, mbledhja u shty për radhën tjetër, duke mos u përcaktuar një datë. Opozita u shpreh se ky ishte një skenar nga mazhorana, me qëllim bllokimin e punës. Pas kësaj mbledhjeje, nënkryetari i komisionit parlamentar, socialisti Ilir Gjoni, u shpreh se Prokuroria dhe ILDKP-ja duhet të kishte nisur një hetim për krerët e Ministrisë së Mbrojtjes. “Ky skandal po thellohet dita-ditës edhe nga informacione të punonjësve të përgjegjshëm të kësaj ministrie”, theksoi Gjoni për “AS TV”. Për konkretizim, Gjoni jep rastin e bashkëshortes së ish-kreut të SHIU-t, punonjëse e ministrisë, por edhe bashkaksionere, sipas tij, e një kompanie që gëzonte favorizime nga Ministria e Mbrojtjes në tregtimin e armëve. “Nga të dhënat zyrtare, ne kemi provuar që kjo kompani është favorizuar në çmime për blerje apo shitje të armatimeve, apo municioneve dhe së fundi, përmes rrugës zyrtare, kemi siguruar dhe deklarimin e pasurisë së zotit Zyla, ku nuk figuron fare bashkëpronësia e bashkëshortes së tij në këtë kompani private, por në një biznes tjetër që nuk ka lidhje fare me të. Por gjithë këta elementë, besoj se janë të mjaftueshëm që prokuroria apo ILDKP të nisin një hetim”, thotë socialisti Gjoni. Ai thekson se, pavarësisht dështimit të mbledhjes, do të vijojnë të këmbëngulin në mbikëqyrjen parlamentare, si një e drejtë që sipas tij, ligji ua njeh deputetëve. Ai nuk e përjashton mundësinë e një komisioni hetimor parlamentar, kjo me kërkesë të opozitës.


“Ne, në këtë rast, si opozitarë, kemi zgjedhur këtë lloj forme. Do t’i shkojmë deri në fund. Por kjo nuk e përjashton mundësinë që dhe të kërkohet ngritja e një komisioni hetimor”, thekson Gjoni. Pak kohë më parë, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, tha se nëse deputetët e opozitës duan kontroll në Ministrinë e Mbrojtjes, duhet të kërkojnë komision hetimor. Por deputeti Gjoni thotë se për mbikëqyrjen parlamentare, është rënë dakord edhe nga ministri në një seancë që ai ka qenë i pranishëm në Komisionin e Sigurisë, dhe ka qenë një vendim unanim i kësaj strukture parlamentare.


Plani konsensual


Komisioni Parlamentar i Sigurisë ka miratuar me konsensus mes palëve mbikëqyrjen parlamentare të Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe të Sigurisë. Plani konsensual parashikon tetë pika për dikasterin që drejtohet nga Imami. Zbatimi i ligjit “Për gradat në vitet 2010-2011 ishte detyrë e përcaktuar për deputetët Metalla, Skuqi të PD dhe Çuko dhe Sterkaj të PS-së. Për Planin e Përhapjes të FA-së u caktuan deputetët Hoxha, Babasi dhe Metalla të PD-së, si dhe Gjoni dhe Lutaj nga PS. Paketa ligjore e FA-së, ishte përcaktuar të angazhoheshin deputetët Metalla, Paluca, Skuqi, Qefalia dhe Dogjani. Veprimtaria e MEICO-s, për shitjen e armëve ishte caktuar të kontrollohej nga deputetët Metalla, Turku, Uldedaj, Gjoni dhe Sterkaj. Ndërsa veprimtaria e SHIU-t për vitin 2011 ishte lënë në detyrë të deputetëve Metalla, Paluca, Gjoni dhe Lutaj. Të gjithë këto, edhe pse u miratuan me konsensus, u zhbënë nga mazhoranca, e cila me veprimet e saj, po regjistron një precedent të paparë në parlamentarizmin shqiptar.


 


Armët


Veprimtaria e MEICO-s, për shitjen e armëve, ishte caktuar të kontrollohej nga deputetët Metalla, Turku, Uldedaj, Gjoni dhe Sterkaj