PD-PS


Mazhoranca, e gatshme të pranojë propozimet e opozitës


Dy të mandatarit për ndryshimet kushtetuese, Pandeli Majko i PS-së dhe Edi Paloka i PD-së, zhvilluan dje një bisedë të posaçme në lidhje me mundësinë e përafrimit në një draft të vetëm për heqjen e imunitetit të zyrtarëve dhe gjyqtarëve. Mësohet se Partia Demokratike, nga ana e saj, është shprehur e hapur për të pranuar një variant si konsensual. Vetë Paloka u shpreh se mazhoranca është e hapur për të arritur një kompromis dhe se është në pritje të një propozimi nga opozita. Negociatat mes Majkos dhe Palokës u zhvilluan në zyrën e posaçme, e cila ndodhet ngjitur me Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Ata e nisën takimin në orën 12:30, por mësohet se ai nuk ka zgjatur shumë. Deputeti i PS-së, Pandeli Majko, u shpreh për gazetën “Shqip” se “negociatat me PD-në do të vijojnë sërish”, duke nënkuptuar se palët janë ende larg konsensusit. Pritet që në ditët në vijim, Majko dhe Paloka do të vijojnë negociatat. PD, nga ana e saj, kërkoi që puna e ndryshimit të Kushtetutës të fokusohet tek imunitetet dhe jo te mënyra e të zgjedhurve të anëtarëve të Gjykatave apo dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Për heqjen e imunitetit janë paraqitur dy nismat e PD-së dhe PS-së, me firmat përkatëse. Demokratët, edhe pse e cilësojnë draftin e tyre si një propozim i marrë nga misioni EURALIUS, nuk e përjashtojnë mundësinë e ripunimit të tij, me qëllim arritjen e konsensusit. Të shtunën e kaluar u zhvillua një seancë maratonë dëgjese me ekspertët e huaj dhe konstitucionalistët e njohur vendas. Palët dëgjuan sugjerimet e ekspertëve të fushës për heqjen e kufizimin e imunitetit.


 


Relatorët


Komisioni i Ligjeve ka përcaktuar Majkon dhe Palokën si relatorë të hartimit të draftit për ndryshimin e Kushtetutës