Alarmi


Situata emergjente në Tiranë, Shkodër e Dibër


Terreni i vështirë ka bërë që emergjencat civile të shpresojnë te shiu, ose duhet ndërhyrje nga ajri


Në disa raste janë ngritur dyshimet se zjarret janë vënë qëllimisht nga barinjtë për kullota të reja


Situata e zjarreve në vend është përkeqësuar edhe më shumë dje, ku vatra të reja kanë përfshirë qarqet e Tiranës dhe Shkodrës, duke iu shtuar vatrave të zjarrit në malet e Lurës në Dibër, që prej disa ditësh vazhdojnë të mbeten të rrezikshme. Për shuarjen e shumë vatrave zjarri në gjashtë zona të ndryshme të këtyre tri qarqeve, ku është rrezikuar edhe Parku Kombëtar i Dajtit, është kërkuar edhe ndihma e ushtrisë, në pamundësi për të ndërhyrë për shuarjen e flakëve me mjete të tjera. Nga ana tjetër, emergjencat civile prisnin me shpresë shiun, që ishte parashikuar se do të binte dje dhe gjatë ditëve në vazhdim.


Në Tiranë


Sipas të dhënave, në Tiranë janë konstatuar disa vatra zjarri në tri zona të ndryshme, ku më e rëndësishmja është ajo e parkut kombëtar. Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë prej 4 ditësh masivë me shkurre dhe pemë në afërsi të Priskës. Ndryshimi i drejtimit të erës ka rrezikuar seriozisht gjatë të gjithë ditës banorët e fshatit Gurrë e Madhe, në periferinë juglindore të Tiranës. Me të marrë sinjalizimin për situatën, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbime të shumta zjarrfikëse, policore, si edhe forca të ushtrisë. Situata paraqitej tejet e vështirë, për shkak të terrenit të thyer. Shërbimet zjarrfikëse ishin dislokuar kryesisht pranë banesave për të mos lejuar përfshirjen e tyre nga flakët. Që në orët e para të mëngjesit të ditës, për shuarjen e flakëve janë angazhuar gjithsej 42 trupa të Forcave të Armatosura, si dhe dy mjete, të cilat kanë punuar për shuarjen e dy vatrave zjarresh që kanë rënë në këtë zonë. Ndërsa në Komunën Petrelë, në afërsi të Liqenit të Zi është konstatuar një tjetër vatër zjarri, ku është dërguar një mjet zjarrfikës dhe një personel prej shtatë efektivësh të Forcave të Armatosura, të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit. Gjithashtu, një vatër e tretë është konstatuar në Garnizonin e Forcave Tokësore, poligoni i qitjeve në Zall-Herr. Për shuarjen e zjarrit, që ka rënë në këtë rajon, janë angazhuar 60 forca ushtarake dhe janë vënë në dispozicion tri mjete, si dhe një zjarrfikëse. Vatra e zjarrit është e izoluar dhe po vazhdon operacioni për shuarjen e plotë të tij.


Në Dibër


Ndërsa në Dibër, sipërfaqe të konsiderueshme me pisha dhe bredh janë dëmtuar nga flakët, të cilat kanë depërtuar në thellësi të masivit pyjor të Lurës. Pregj Lura është një nga zonat më të dëmtuara, ku më shumë se 50 hektarë janë gllabëruar nga flakët për katër ditë me radhë. Ndonëse dy toga të forcave të ushtrisë po bëjnë të pamundurën për të stabilizuar gjendjen, flakët kanë vënë nën pushtetin e tyre masivin pyjor të Pregj Lurës, tërësisht i vështirë për t’u kontrolluar, ndërkohë që një ndërhyrje nga ajri do të evitonte përfundimisht dëmet e mëtejshme, pasi terreni tepër i vështirë e bën të pamundur vënien nën kontroll të situatës. Një problem tjetër shqetësues është edhe zhdukja e kafshëve të këtij masivi pyjor, si ujku, lepuri dhe në mënyrë të veçantë ajo e gjelit të egër, një shpend ky i rrallë, që rritet vetëm në këtë zonë tashmë të pushtuar nga flakët.


Në Shkodër


Dhjetëra ha pyje janë përfshirë nga flakët në Shkodër dhe në Malësi të Madhe. Prej disa ditësh, disa vatra zjarri kanë përfshirë malin Kolaj në Velipojë dhe malin e Veleçikut në Razëm. Zjarri në këto zona të thella malore është përhapur në një territor prej disa kilometrash, duke e bërë tepër të vështirë punën e policisë pyjore për të vënë flakët e zjarrit nën kontroll. Si në malin Kolaj ashtu dhe në malin e Veleçikut, zjarret janë vënë qëllimisht për hapje kullotash nga banorë të zonës. Vatrat e zjarrit vazhdojnë të jenë aktive, të ndihmuara edhe nga temperaturat e larta dhe era. Dëmi i shkaktuar llogaritet në miliona lekë, pasi janë dëmtuar kurora të tëra me brez ahu dhe pishe. Për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave në Komunën Vig-Mnelë, që rrezikojnë nga zjarret e rëna, janë angazhuar një togë me 30 veta dhe një mjet nga ushtria. Po kështu, edhe në Komunën Kastrat, Mali i Veleçikut, Fushëzezë, janë angazhuar 30 forca ushtarake dhe një mjet për shuarjen e vatrave të zjarrit në këtë rajon. Në lidhje me këtë situatë, prefektja e Qarkut Shkodër, Voltana Ademi, shprehet gjatë ditëve të fundit se ka pasur zjarre të konsiderueshme në të tria rrethet e qarkut. “Për të gjitha rastet janë angazhuar maksimalisht institucioni i prefektit, i cili ka koordinuar drejtoritë e shërbimit pyjor në Shkodër, Pukë dhe Malësi e Madhe, strukturat e PMNZSH, e ushtrisë dhe në disa raste të NJQV. Fatkeqësisht konstatohet se disa prej zjarreve janë të qëllimshme dhe nga pakujdesia. I bëj edhe një herë thirrje komunitetit të Qarkut Shkodër, që të jenë shumë të kujdesshëm në veprimtarinë e tyre të përditshme, kryesisht barinjve dhe biznesmenëve në zonat turistike malore, të cilët duhet të bashkëpunojnë ngushtë me strukturat policore dhe ato pyjore për dhënien e informacionit në kohën e identifikimit të vatrës së zjarrit, si dhe të denoncojnë çdo rast të vënies së zjarrit të qëllimshëm”, shprehet prefektja.


 


 


Mobilizimi


Mbi 220 ushtarë për shuarjen e zjarreve


Forcat e Armatosura, të thirrura për shuarjen e flakëve, kanë angazhuar dje mbi 220 forca ushtarake, 11 mjete dhe dy zjarrfikëse. Zjarri ka rënë në disa zona të vendit dhe ka disa ditë që strukturat e Forcave të Armatosura, në bashkëpunim me organet e tjera përkatëse të pushtetit qendror e lokal, janë angazhuar në operacionin për parandalimin dhe shuarjen e tij në zona të ndryshme të vendit, si në Qarkun e Shkodrës, të Beratit, të Dibrës dhe të Tiranës. Edhe gjatë ditës së djeshme, mjaft trupa dhe mjete të Forcave të Armatosura janë përfshirë e po punojnë për shuarjen e disa vatrave zjarresh që kanë rënë në terrene të vështira. “Efektivat ushtarake të përfshira në këtë operacion emergjence janë angazhuar maksimalisht për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve të rëna në këto zona, duke treguar edhe njëherë jo vetëm profesionalizmin e tyre, por edhe përkushtimin dhe përgjegjësinë e lartë për të kryer me disiplinë dhe dinjitet detyrat kushtetuese në shërbim të komunitetit”, tha Ministria e Mbrojtjes.