I akuzuari për vrasjen e 12 personave dhe plagosjen e rreth 50 të tjerëve disa ditë më parë në një kinema në Kolorado, James Holmes po trajtohej nga një psikiatër në universitetin ku ai kishte studiuar.


Autoritetet amerikane kanë marrë në pyetje psikiatren e tij, Lynne Fenton, në lidhje një fletore të cilën vrasi e kishte dërguar në universitet dhe ku ai përshkruante masakrën që do të bënte më 20 korrik, duke qëlluar me breshëri automatiku brenda një kinemaje gjatë premierës së filmit ‘Batman’.


Nuk dihet ende me siguri nëse pakoja e dërguar nga Holmes në universitet kishte arritur përpara se ai të kryente masakrën, në mënyrë që ajo të parandalohej,por të gjithë njerëzit e përfshirë në këtë çështje janë duke mbajtur tërësisht të fshehtë gjithçka, pas rrjedhjes së informacionit të shpejtë në media mbi ekzistencën e një plani paraprak të përshkruar nga vrasësi mbi masakrën që ai do të kryente.


Ndërkohë, avokatët mbrojtës kanë parashtruar para trupit gjykues pretendimin se rrjedhja e informacionit në media lidhur me këtë ka bërë që të rrezikohet procesi gjyqësor ndaj të pandehurit, ndërsa Holmes do të njihet zyrtarisht me akuzat ditën e hënë.


James Holmes akuzohet për vrasjen e 12 personave dhe plagosjen e 58 të tjerëve, kur hapi zjarr brenda një kinemaje në Kolorado më 20 korrik.


28 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)