Noela Borshi ishte e para nga 10 sportistët kuqezi pjesëmarrës në evenimentin sportiv, që garoi në disiplinën përkatëse: 100 metra në stilin flutur. 16-vjeçarja fitoi baterinë e saj dhe u pozicionua e 40-a në renditjen e përgjithshme pas fazës eliminatore, ku morën pjesë 42 notare. Borshi regjistroi kohën 1 minutë, 5 sekonda e 49 të qindtat, duke vendosur edhe një rekord të ri kombëtar. Në fakt, ajo përmirësoi me 22 të qindtat rekordin e mëparshëm të regjistruar në kampionatin botëror të zhvilluar në Shangai, në vitin 2011. Një paraqitje premtuese e talentes shqiptare të pishinave, që duket se kështu realizoi objektivin personal në Londër 2012.
Qitje, Kuçana, i 20-i në 10 m me pistoletë në ajër
Paraqitje të kënaqshme ka realizuar edhe Arben Kuçana në qitje nga distanca 10 metra me pistoletë me ajër. Sportisti shqiptar u klasifikua i 20-i në renditjen e përgjithshme pas fazës kualifikuese. Kuçana grumbulloi 577 pikë në 6 provat e tij, ndërsa duhet theksuar se rezultati ka qenë mjaft afër vendeve të kreut. Mjafton të kujtosh se pas kualifikueseve, koreanojugori Jongoh Jin kishte grumbulluar në total 588 pikë. Fatkeqësisht, Kuçana nuk arriti të kualifikohej në finale vetëm për 6 pikë, pasi kjo ishte diferenca që e ndante atë nga vendi i tetë i arritur nga portugezi Zhao Kosta, që siguroi edhe biletën e fundit mes finalistëve.
Rezultati i djeshëm
Not: Noela Borshi
Disiplina: 100 m, flutur
Koha: 1’5″49
Klasifikimi: e 40-a
Rezultati i djeshëm
Qitje: Arben Kuçana
Disiplina: 10 m, pistoletë
Pikët e grumbulluara: 577
Klasifikimi: i 20-i
Gara e sotme
Orari: 09.30
Xhudo: Majlinda Kelmendi
Pesha: 52 kg
Kundërshtari: Jaana Sundberg
